Balla: Reforma në Drejtësi theu mitet se nuk ka politikan mbi ligjin e të paprekshëm

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, në lidhje me raportet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u ndal tek Reforma në Drejtësi.
Sipas Ballës “Reforma në Drejtësi ka thyer mite në Shqipëri dhe njëri ndër mitet e thyera është se nuk ka politikan mbi ligjin dhe nuk ka të paprekshëm”.
Duke iu drejtuar opozitës, Balla tha se po të mos ishte për mazhorancën socialiste, as nuk mendohej se do të kishte funksionarë publikë para drejtësisë.
“Kur ishit ju në qeverisen e vendit, ku mendohej, që të kishte ministra, deputetë, ish-kryeministra, ish-presidentë që sot të jenë para drejtësisë?! Kjo as nuk imagjinohej, as të shkonin para prokurorit, kur prokurori i thërriste. Sa kanë kaluar nga koha, kur në 2011 kryeministri urdhëronte policinë që mos të zbatonte urdhrat e prokurorisë. I bëj thirrje policisë të mos zbatojë urdhrat për ndalimin e drejtuesve të Gardës, të cilët me urdhër të Sali Berishës kishin qëlluar mbi popullin opozitar dhe kishin lënë të vdekur katër bij nënash, heronj sot”, tha Balla.
Balla theksoi se “140 deputetë në këtë sallë kanë votuar këtë Kushtetutë që kemi sot mbi bazën e së cilës është ngritur gjithë struktura e re e drejtësisë”.
““Shejtanët” në sistemin e drejtësisë duheshin larguar, më shumë se gjysma e tyre janë larguar, por nuk ka një shkop magjik që të prodhojë menjëherë brenda një viti 400 magjistratë”, tha Balla.
Balla tha se në 2016 është rënë dakord që politika nuk do të emërojë më gjyqtarë, nuk do të emërojë më prokurorë.
Kreu i grupit të socialistëve u shpreh se nga ana e PS-së nuk do të ketë “sulme ndaj drejtësisë”.
“Drejtësia është e mirë kur godet në fushën e kundërshtarit dhe është e keqe kur godet në fushën tënde, në partinë tënde. Nuk keni për të dëgjuar as nuk do të dëgjoni se nga ky krah i sallës (PS) të hyjmë në çështje të meritës dhe asnjëherë nuk do të dëgjoni që të çohet njëri këtu dhe të bëjë avokatin, për të mos prekur aspak elementët e pavarësisë së prokurorisë apo gjykatave. Është një çështje që ka zënë vend në sjelljen tonë politike”, tha Balla.
Balla theksoi ndër të tjera se “KLP dhe KLGJ duhet të fokusohen tek rekomandimet e Kuvendit. Duhet të thoni edhe pse nuk janë adresuar çështjet që lë Kuvendi”.
/m.q/r.e/a.f/