E Hënë, 2 Nëntor 2026

Seanca në GJKKO për “Gërdecin”, Mediu: Proces i orkestruar

TIRANË, 30 tetor/ATSH-Maela Marini/ Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar sot seanca e radhës ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me tragjedinë e Gërdecit.

Në një prononcim për mediet pas seancës, Mediu u shpreh se gjyqi ka prapavijë politike dhe se është një proces i orkestruar.

“Jemi përballë një fakti të një gjyqi popullor të organizuar politikisht që s’ka lidhje me akuzën për Ministrinë e Mbrojtjes”, u shpreh Mediu, duke shtuar se kërkesat e tij për të fituar të drejtën në proces si palë e akuzuar është injoruar në mënyrë permanente.

“Në fakt janë 45 dokumente që hedhin poshtë pretendimet e prokurorisë që prokuroria nuk i përfill dhe nuk i sjell në seancë”, tha ai.

Mediu theksoi se kjo është një histori e qartë politike, e ndërtuar në mënyrë të paligjshme që është hapur dhe vazhdon në mënyrë të paligjshme.

Edhe avokati i ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, Ardian Visha u shpreh se “ashtu siç SPAK është lejuar të marrë prova në SHBA, në përputhje me ligjet e atij vendi dhe ne kemi kërkuar për të sjellë po nga ai territor dëshmitë e 9 subjekteve me një relevancë të jashtëzakonshme për çështjen”. Por, sipas tij, gjykata dhe këtë e rrëzoi.

15 marsin e vitit 2008 shpërthimi në punishten e demonstimit të municioneve në fshatin Gërdec në Vorë shkaktoi 26 të vdekur e mbi 200 të plagosur ndërsa u rrafshuan shumë shtëpi të fshatit.

Për çështjen “Gërdeci” u shpallën fajtorë 21 nga 29 të akuzuarit  disa prej tyre u dënuan në mungesë.

Ish-ministri Fatmir Mediu ishte akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim, sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, por në shtator 2009, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e pushoi gjykimin ndaj tij.

Në shtator 2021 Gjykata e Posaçme e Apelit pranoi kërkesën e SPAK-ut për ta rigjykuar çështjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›