Balla: Standarde ndërkombëtare në shërbimin postar

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kuvendi shqyrtoi sot projektligjin për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 27-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar (UPU).
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla bëri të ditur se ky projektligj vjen në vijim të praktikave të ndjekura pas çdo Kongresi të UPU-së dhe është në përmbushje të angazhimeve që Shqipëria ka si anëtare e kësaj organizate. Ai synon harmonizimin e rregullimeve të brendshme në fushën e shërbimit postar me standardet dhe rregullat ndërkombëtare të miratuara nga Bashkimi i Përbotshëm Postar (UPU).
“Është domosdoshmëri përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare në fushën e shërbimeve postare,” tha Balla.
UPU-ja është e themeluar në vitin 1874 dhe ka aktualisht 192 vende anëtare. Shqipëria ka aderuar në organizatën e Bashkimit Postar të Përbotshëm (UPU) në datën 01.03.1922.
Kongresi është organi suprem i Bashkimit dhe përbëhet nga përfaqësuesit e vendeve anëtare, i cili mblidhet çdo katër vjet, duke sjellë së bashku të plotfuqishmit e të gjitha vendeve anëtare.
Vendi ynë i ka pranuar të gjitha aktet e Kongresit të UPU-së, në çdo 4 vjet, duke parë përputhshmërinë me legjislacionin vendas dhe interesat e tij dhe, ka pranuar e ratifikuar ose aderuar në ndryshimet e këtyre dokumenteve të bëra gjatë kongreseve.
Misioni i UPU-së në ditët e sotme është promovimi i zhvillimit të shërbimeve postare me cilësi, efikasitet dhe çmime të përballueshme nga përdoruesit, me qëllim lehtësimin e komunikimit ndërmjet popujve të botës nëpërmjet garantimit të qarkullimit të lirë të objekteve postare nëpërmjet një territori postar të ndërlidhur, pranimit dhe nxitjes së standardeve të përbashkëta dhe zbatimit të teknologjive të reja, bashkëpunimit dhe bashkëveprimit ndërmjet të gjithë palëve të interesuara për zhvillimin e sistemit postar, si dhe sigurimit dhe përmbushjes së ndryshimit të nevojave të konsumatorëve.
Qëllimi i ndryshimeve është reflektimi i nevojave dhe dinamikave në tregun botëror postar, me rritjen e volumit të dërgesave për shkak të tregtisë elektronike.
/r.e/a.f/