E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Te Kukësi nuk ka vend për eufori

Nga Erion Saliu

Fitoret e fundit dhe ngushtimi i diferencës me Luftëtarin kryesues në 3 pikë, natyrisht që e kanë bërë më optimiste atmosferën në radhët e skuadrës kuksiane, që tashmë ka shanse të mëdha edhe për titullin kampion të kategorisë së parë. Tifozët kanë frikë se mos lojtarët  rrëshkasin këto javë të fundit, duke i nënvlerësuar kundërshtarët e ashtuquajtur të vegjël.

Por, drejtori teknik i Kukësit, Sabri Balla, nuk ka këtë mendim, madje ai thotë se të gjtihë në skuadër janë profesionistë dhe do të jenë seriozë deri në sekondën e fundit të këtij kampionati. Kukësi ndodhet në vend të dytë me meritë dhe forcën e tij e ka treguar që në javët e para të këtij sezoni. Skuadra ka një mbështetje të fuqishme financiare nga presidenca dhe donatorët.

Nga ana e trajnerit Berberi dhe stafit ka pasur një regjim të rreptë, jo vetëm në procesin stërvitor, por edhe në grumbullime, qoftë në Kukës qoftë në ndeshjet jashtë. Shpreh bindjen se Kukësi do ta ruajë vendin e dytë, sepse në këtë skuadër nuk bëhet fjalë për eufori. Kemi lojtarë që ia kanë marrë dorën kategorisë së parë, të cilët do ta përmbushin misionin e ngjitjes direkte në superligë në fund të edicionit, pse jo dhe si kampionë të kategorisë së parë.

Ne nuk shohim punën e kundërshtarëve, por e vlerësojmë çdo ndeshje të radhës. Të gjithë si staf jemi optimistë se Kukësi do ta justifikojë punën njëvjeçare që është bërë nga të gjithë. I ftoj tifozët kuksianë të na mbështesin, sepse në këto ndeshje vendimtare që kanë mbetur kemi nevojë për ta, tha mes të tjerash drejtori teknik i Kukësit, Sabri Balla, i cili po ndjek kursin UEFA B për trajner.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›