E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brahimi: Luftëtari do të mbërrijë i pari në finish

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Drejtori sportiv i ekipit gjirokastrit, Besim Brahimi, thekson se janë të gjitha mundësitë për ta kaluar me sukses edhe transfertën e Fushë-Krujës

Luftëtari ka luajtur 10 ndeshje nën drejtimin e trajnerit Nevil Dede: 9 të fazës së dytë dhe 1 të prapambetur nga faza e parë, konkretisht ndeshjen me Kukësin. Ka marrë 7 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, me golaverazhin e përgjithshëm 15-7, ku humbjet e pikëve janë në transfertë.

Përpara janë edhe 6 ndeshje, gjysma jashtë fushe, ku e para është me Ilirinë, prej së cilës gjirokastritët kanë 29 pikë më shumë. Edhe pse diferenca është mbresëlënëse, kjo nuk do të thotë se ata e kanë fitoren në xhep, sepse paradigma me transfertën në Skrapar  ose në Lezhë, ku janë humbur 5 pikë, do të thotë që kundërshtarët nuk lëshojnë pe.

Përkundrazi, të gjithë ekipet luftojnë për interesa dhe objektiva, që u sjellin përfitimet e dëshiruara. Dhe ashtu ndodh, sepse secili shikon interesat e tij, kështu që Luftëtarit nuk i mbetet gjë tjetër, përveç luftës sportive me nerv të tendosur, gjë që e ka në dorën e tij dhe jo në duart e të tjerëve.

Brahimi Drejtori sportiv i Luftëtarit, Besim Brahimi, komenton fillimisht dënimin e dhënë nga FSHF-ja për fushën e Gjirokastrës: Së pari, në lidhje me dënimin e fushës sonë për një ndeshje pa shikues, dua të them se është diçka e pritshme, sepse, sa herë vjen vëzhgues z. Arjan Mali në Gjirokastër, ndodhitë i bën sa një mal. Kjo gjë konstatohet po të lexohen realacionet e tij.

Iliria Ndërsa për ndeshjen e radhës me Ilirinë, Brahimi thotë: E kemi thënë shpesh se ky kampionat është i Luftëtarit dhe e rithem se këtë herë  objektivin do ta realizojmë, pasi që në fillim të sezonit ndërtuam  një ekip, që deri tani rezulton më i forti i kataegorisë së parë. Edhe në ndeshjet e mbetura nuk e vëmë në diskutim që në Gjirokastër  do të kemi vetëm fitore.

Në 3 ndeshjet jashtë fushe pa dyshim që vështirësitë do të jenë më të mëdha, por kam besim se stafi ynë edhe aty do të arrijë të marrë pikët  e mjaftueshme, që Luftëtari ta mbyllë kampionatin duke u shpallur kampion. Do të jetë një sukses plotësisht i merituar, sepse ka kryesuar vazhdimisht, madje edhe me 9 pikë diferencë.

Ndeshja me Besën tregoi edhe një herë se ato që themi kanë bazë reale dhe se me Ilirinë në transfertë ekipi ynë do të tregojë aftësitë e tij. Do të luajmë të impenjuar për ta fituar ndeshjen. Ne e dimë që janë 4-5 ekipe që pretendojnë superligën, por them se para të gjithëve do të jetë Luftëtari i pari, që do të mbërrijë në finish, në majin e këtij viti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›