E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balla: Të çojmë eurodeputetët tanë në PE në legjislaturën 2029-2034

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se mazhoranca do të propozojë krahas detyrave jetike, edhe çështje të tjera, përfshirë reformën zgjedhore, e cila sipas tij duhet të nisë menjëherë.

Një ndër ndryshimet e parashikuara është përfshirja në Kodin Zgjedhor e mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve për në Parlamentin Evropian.

“Nëse ecim me këtë ritëm, siç e tha sot edhe komisionerja Marta Kos, ne do të jemi gati që të çojmë eurodeputetët shqiptarë në legjislaturën e Parlamentit Evropian 2029-2034,” deklaroi Balla.

Balla tha se, Partia Socialiste është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet që lidhen me procesin e integrimit evropian, në bashkëpunim me opozitën parlamentare.

“Me angazhimin e plotë të kësaj shumice dhe kësaj pakice, shpresoj që t’i mbyllim kapitujt brenda Krishtlindjes së vitit 2027 dhe brenda vitit 2028 të shkojmë në parlamentet e vendeve anëtare për të përmbyllur këtu detyrat shtesë që lidhen me këtë proces,” u shpreh Balla.

/gj.m//r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›