Balla nga Spanja: Grupe të përbashkëta mes 2 policive për identifikimin e personave të përfshirë në krim

TIRANË, 17 maj/ATSH/ Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në një prononcim për mediet nga Spanja ku ndodhet për vizitë zyrtare, u shpreh sot se thellimi i bashkëpunimit me këtë vend i shërben thellimit të luftës ndaj krimit të organizuar ndërkufitar. Ai theksoi se ky bashkëpunim do të ndihmojë edhe në identifikimin e shqiptarëve që në Amerikën Latine janë të përfshirë në aktivitete kriminale.
Balla nënshkroi edhe një memorandum bashkëpunimi operacional në luftën kundër trafikut të narkotikëve. Ai theksoi për mediet shqiptare se gjatë bashkëbisedimeve që ka patur me palën spanjolle është diskutuar për detaje dhe emra konkretë.
“Kemi çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin me Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Spanjës dhe Policisë Spanjolle për sa i takon luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër prodhimit e trafikimit të lëndëve narkotike, trafikut të paligjshëm të migracionit dhe po ashtu për të krijuar grupe të përbashkëta pune mes të dy policive tona sa i përket identifikimit të personave të përfshirë në aktivitete kriminale në të dy vendet tona, qofshin këta shqiptarë që bëjnë apo janë të përfshirë në aktivitete kriminale në Spanjë. Po ashtu, edhe për qytetarët spanjollë të cilët mund të kryejnë aktivitete kriminale në Shqipëri”, tha Balla.
“Dhe po ashtu dhe për një nivel më të gjerë, duke përfituar edhe nga fakti se Spanja ka një lidhje të fortë me vendet të Amerikës latine për të përdorur komunikimin që ka pala spanjolle me këto vende në funksion të identifikimit të qytetarëve shqiptarë, të përfshirë në aktivitete kriminale në këto vende dhe që lidhen kryesisht edhe korridoret ndërkombëtare të trafikimit të lëndëve narkotike”, shtoi Balla.
“Sikurse e ndoqët ka qenë një takim i gjatë edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Kombëtare të Spanjës, duke hyrë në detaje konkrete, madje edhe me emra konkretë, në mënyrë që ne të kemi mundësi të intensifikojmë luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Ju e dini në Europë ka tashmë një koalicion europian në luftën kundër krimit të organizuar, ku Spanja luan një rol të rëndësishëm dhe kjo marrëveshje i shërben pikërisht intensifikimit të punës së përbashkët sa i përket operacioneve dhe hetimeve gjithëpërfshirëse kundër grupeve kriminale që zhvillojnë aktivitetin e tyre jo vetëm në Spanjë, por në të gjithë Europën”, nënvizoi Balla.
Balla tha se falë bashkëpunimit me palën spanjolle ka pasur dhe operacione policore të finalizuara. “Operacionet e përbashkëta edhe në kuadër të Europol dhe Interpolit janë një sërë operacionesh që mund t’ua vëmë në dispozicion pikërisht për rezultatet që kanë pasur dhe do të vazhdojmë ta intensifikojmë bashkëpunimin”, theksoi Balla.
Ministri i Brendshëm në fund shtoi se në fokus ishte dhe çështja e emigracionit të paligjshëm, si një nga nga sfidat më të rëndësishme që po përballet Europa./a.f/