E Martë, 3 Nëntor 2026

Balla paralajmëron vendosjen e kamerave të sigurisë në rrugët kryesore afër shkollave

Kur kanë kaluar 200 ditë nga aplikimi i paketës së sigurisë në shkolla, Ministri  Brendshëm, Taulant Balla thotë se efekti ka qenë pozitiv, por shqetësim mbetet ende përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë.

“Nuk e fsheh që kur nisëm paketën e sigurisë në shkolla, që shtysa kryesore lidhej pikë së pari me përdorimin e lëndëve narkotike tek të miturit dhe tek të rinjtë. Dhe goditja pa kompromis e këtij rrjeti ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga sfidat kryesore. Në shtator të vitit të kaluar një prej shqetësimeve të mija ishte përdorimi nga të rinjtë i dioksidit të azotit të cilët dukeshin sikur frynin tullumbace, por në fakt ishin tullumbacet që frynin të rinjtë. Janë mbi 1100 shpërndarës lëndësh narkotike të ndaluar nga Policia e Shtetit”,  tha Balla.

Ministri Balla nënvizon edhe rëndësinë e ashpërsimit të kodit rrugor për shkeljet e mundshme që ndodhin brenda perimetrit të sigurisë në shkolla.

“Mendoj që çdo qytetar i këtij vendi e pranon propozimin tonë që kur një shkelje rrugore ndodh në perimetrin e sigurisë në shkolla, shkelësi nuk mund të ndëshkohet një lloj sikur ndodh diku tjetër. Do të ketë një penalitet të paktën dyfish më i lartë.Kur ti shkel shpejtësinë pranë një shkolle, ti nuk mund të ndëshkohesh vetëm me penalitetin që përcakton kodi rrugor sa për një gjobë apo ulje të pikëve në patentë. Kjo nuk mjafton, në momentin kur ti tejkalon shpejtësinë pranë oborrit të shkollës, ti je në limitet e kryerjes të një vepre të rëndë penale”,  u shpreh Balla.

Për të garantuar sigurinë, Taulant Balla tha se do duhet që të gjitha shkollat të pajisen me kamera. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›