E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla pret të dërguarin e Trump për Partneritetet Globale

Taulant Balla ka pritur në një takim të dërguarin special të Presidentit amerikan Donald Trump për Partneritetet Globale, ambasadorin Paolo Zampolli.

Në qendër të bisedës kanë qenë marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, partneritetet për paqe e stabilitet, si dhe roli i Shqipërisë në NATO.

Takimi është zhvilluar në kuadër të kontakteve për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Balla bëri me dije se Shqipëria do të mirëpresë vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s në Tiranë.

NATO ka konfirmuar se samiti i radhës pas atij të Ankarasë do të mbahet në Shqipëri, ndërsa data e saktë ende nuk është përcaktuar.

Një tjetër temë e diskutimit ka qenë anëtarësimi i Shqipërisë në Bordin e Paqes, nismë e drejtuar nga Presidenti Donald Trump.

Shqipëria është pjesë e anëtarëve themelues të këtij mekanizmi.

Gjatë takimit është folur edhe për bashkëjetesën ndërfetare në Shqipëri. Balla e përshkroi harmoninë mes komuniteteve fetare si një nga bazat e unitetit dhe kohezionit të shoqërisë shqiptare.

Vizita e Zampollit në Shqipëri vjen në një ditë kur ai ka marrë pjesë edhe në aktivitetin e zhvilluar në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, në kuadër të 35-vjetorit të rihapjes së saj dhe ceremonisë në nderim të Nënë Terezës. Në aktivitet ishin të pranishëm drejtuesit e komuniteteve kryesore fetare në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›