E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla replikë me Berishën: Reforma territoriale nuk është mbyllur, po dezinformoni qytetarët

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla hodhi poshtë akuzat e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha për reformën administrativo-territoriale, duke i cilësuar deklaratat e tij se do të shkurtohen 20 bashki, si dezinformim të opinionit publik.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale ka përfunduar mandatin e tij, pasi nuk ka pasur një kërkesë të dakordësuar nga bashkëkryetarët për shtyrjen e afatit.

Ai vlerësoi punën e anëtarëve të komisionit nga të dyja palët politike dhe sqaroi se më 23 korrik nuk do të zhvillohet votim për reformën.

“Nuk do të ketë votim. Do të ketë paraqitjen e raporteve dhe më pas procesi do të vijojë me konsultimet me komunitetet, siç e parashikon ligji”, deklaroi Balla.

Kreu i grupit socialist ftoi edhe opozitën të paraqesë raportin e saj, ndërsa tha se deputetët e PS-së do të dorëzojnë raportin përkatës të hartuar nga mazhoranca.

Balla mohoi gjithashtu pretendimet se reforma prek bashki të caktuara, duke përmendur Hasin dhe Mirditën si shembuj të lajmeve të pavërteta që, sipas tij, po qarkullojnë. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›