E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balla thirrje opozitës: Hetimi i zgjedhjeve brenda komisionit të Reformës Zgjedhore

TIRANË, 30 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ftoi sot opozitën që të sjellë emrat e anëtarëve të komisionit të Reformës Zgjedhore dhe ta përdorë mundësinë për hetimin e zgjedhjeve të 11 majit në këtë komision.

Gjatë debatit në Kuvend për ngritjen e komisionit hetimor për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit, Balla u shpreh se opozita vetë sjell kërkesa të çala.

“Mos gënjen publikisht dhe thoni se kështu janë ngritur komisione hetimore. Nuk është aspak e vërtetë që keni ngritur komisione hetimore në ato vite kur keni qenë në qeverisje. Por ne e kemi bërë shumë të qartë se nuk do ju marrim ju për referencë”, tha Balla.

Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës në sallë, Balla tha se “ju nuk doni vetë t’i ngrini këto mekanizma parlamentare”.

“I sillni kërkesat të çala, i transformoni vetë kauzat që vetë ngrini me dashje. Për sa i përket kërkesës së dytë këto janë zgjedhjet më të hetuara në Shqipëri”, tha Balla.

Në 4 muaj, sipas tij, “institucionet, përfshirë Komisionerin e Zgjedhjeve dhe Kolegjin Zgjedhor janë marrë me kërkesat e opozitës”.

“Në asnjë rast nga subjekti zgjedhor PD nuk është paraqitur dhe administruar asnjë provë. Ndaj sillni emrat në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore dhe në fazën e parë zhvilloni një hetim si ta doni. Në fazën e dytë të vijmë me propozimet konkrete”, tha Balla. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›