Komision hetimor për 11 majin, Vokshi: Test për demokracinë; Manja: Kërkesa e PD mbi konstatime politike

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi parashtroi në seancën e sotme plenare të Kuvendit kërkesën e 38 deputetëve të opozitës, për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 11 majit.
Vokshi tha se janë 2500 fakte, prova, dëshmi, video, foto për lloje të ndryshme të krimeve elektorale që janë kryer në këto zgjedhje.
“Kërkojmë komision hetimor jo për PD, opozitën, por për Shqipërinë. Pa zgjedhje të lira nuk ka ekonomi, drejtësi. Ky komision është testi i vërtetë i demokracisë në Shqipëri. Ky Parlament nuk është vullneti real i qytetarëve shqiptarë”, tha Vokshi.
Sipas Vokshit, në 11 maj, duke iu referuar edhe raportit të OSBE-ODIHR, “zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis të polarizuar, ku liderët e opozitës u arrestuan në vitin zgjedhor, pati shpërdorim të burimeve administrative, ndërsa u zhduk kufiri mes shtetit dhe partisë”.
“Ne kemi prova konkrete se si nëpunësit civilë u kthyen në operatorë elektoralë të PS. U ngrit një sistem patronazhimi që profilizoi votuesit dhe shfrytëzoni çdo nevojë të tyre duke u dhënë në këmbim shërbime shtetërore për të marrë vota. Ndodhi edhe në Diasporë”, tha Vokshi, ndërsa theksoi se kush refuzon këtë komision hetimor, pranon vjedhjen e zgjedhjeve të 11 majit.
“Ky komision është prova nëse Shqipëria do të jetë demokraci apo pronë e një njeriu të vetëm”, pohoi ajo.
Ndërsa, deputeti i PS-së, Ulsi Manja përcolli qëndrimin e PS për kërkesën e 38 deputetëve të PD-së për këtë komision hetimor.
Manja tha se në thelb kërkesa përmban qëndrimin se zgjedhjet e 11 majit nuk kanë shprehur vullnetin e lirë të zgjedhësve, por janë ndikuar nga përdorimi i administratës në nivel vendor dhe qendror.
“Raporti final i OSBE-ODIHR shprehet se edhe kur është vërejtur përdorim i administratës kjo nuk ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve si të ligjshme dhe konkurruese. Kërkesa e 38 deputetëve nuk plotëson tre kushtet e ligjit për Komisionet Hetimore dhe të Jurisprudencës Kushtetuese sepse mbështetet mbi konstatime politike pa u shoqëruar me prova faktike që dëshmojnë ndërhyrje të administratës në proces zgjedhor”, tha Manja.
Manja u shpreh se administrata shqiptare përbëhet nga mijëra profesionistë dhe kjo armatë nuk mund të stigmatizohet nga vula politike.
“Qeveria vlerëson bashkëpunimin e BE dhe OSBE ODIHR mbi procesin zgjedhor si pjesë e transparencës dhe maturimit të vendit”, vijoi Manja.
Në fund të fjalës, deputeti Manja tha se kërkesa nuk përmbush kriteret kushtuese dhe ligjore për ngritjen e një Komisioni Hetimor.
/e.i/j.p/