E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ballanca: Ja çfarë panë 5 grupet tona në protestë!

Avokati i Popullit ka nisur monitorimin e protestave të opozitës të cilat me anë të mosbindjes civile, synojnë që maxhoranca socialiste të pranojë ngritjen e një qeverie teknike e cila do të organizojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në maj të vitit të ardhshëm në Shqipëri.

Kryetarja e këtij institucioni avokatja Erinda Ballanca tha në emisionin 3D të Alban Dudushit, të moderuar nga gazetarja Sonila Agostini, se “ne synojmë të verifikojmë dhe shikojmë nëse të drejtat e qytetarëve për të protestuar të lirë garantohen apo jo nga ana e Policisë së Shtetit, nëse punonjësit e saj i kanë mjetet për të ushtruar detyrat e duhura”. “Por detyra themelore e Avokatit të Popullit, tha zonja Ballanca, është të verifikojmë nëse ka raste kur policia ushtron një dhunë më të madhe se ajo që duhet”.

Kryetarja Ballanca tha se Avokati i Popullit nxorri në terren pesë grupe ekspertësh ndërsa njëkohësisht monitoroi edhe mediat. Grupet avokattit të popullit shkuan edhe në komisariate për të vërtetuar situatën e të shoqëruar.

Në vlerësimin e Avokatit të Popullit shumica e protestuesve kanë ushtruar të drejtën e tyre në mënyrë paqësore, por ka pasur edhe një numër të kufizuar protestuesish të cilët kanë kryer veprime të dhunshme. Zonja Balanca tha se ka patur hedhje lëndësh pirroteknike dhe plasëse, që është e ndaluar, ndërsa ka pasur edhe shkatërrim të pronës publike. Ajo kujtoi se përgjegjëse për këtë është prokuroria e cila duhet të shikojë situatën pasi kjo përbën vepër penale.  “Protesta është një e drejtë demokratike, por dhuna e papranueshme” theksoi zonja Ballanca. 

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›