Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Pirdeni: Do të hapet thirrja për ekselentët

Në Pallatin e Brigadave në Tiranë po zhvillohet të martën aktiviteti ku në qendër është Programi Kombëtar i Praktikave të Punës. Ky program prej 9 vitesh ofron mundësi për të rinjtë që të fitojnë eksperiencë pune, duke bashkëpunuar me profesionistë të karrierës në administratën publike.
Në aktivitet janë të pranishëm kryeministri, Edi Rama, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, si dhe përfaqësues nga institucionet qendrore e lokale, partnerë ndërkombëtarë etj.
Përfshirja e të rinjve në ndërveprim të plotë me punonjësit brenda administratës publike ndikon pozitivisht në zhvillimin e aftësive profesionale të praktikantëve, si dhe forcon lidhjen e tyre me administratën duke e njohur atë më mirë, e rrjedhimisht duke çelur ura të reja kontributesh për administratën evropiane që duam.
Të rinjtë pjesëmarrës dhe përfitues nga programi ndanë eksperiencat e tyre, duke treguar se si Programi Kombëtar i Praktikave të Punës u ka ndikuar në integrimin e tyre në tregun e punës.
Në fjalën e saj, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin i cilësoi të rinjtë si shtyllë themeli të administratës, të cilët kanë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të kontribuar në proceset transformuese që po kalon sot Shqipëria.
Ministrja Pirdeni bëri të ditur se shumë shpejt do të hapet edhe thirrja për programin e ekselencës.
Këtë vit janë 463 të rinj që kanë nisur praktikën pranë administratës publike, njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve të tjera të pavarura.
Muzhaqi: 9000 përfitues, 1300 aplikues çdo vit
“1300 të rinjë kanë përfituar çdo vit nga programi Kombëtar i Praktikave të Punës, ndërsa 500 prej tyre janë bërë pjesë e administratës publike”, tha në nisje të fjalës së saj ministrja Muzhaqi.
Ajo shtoi se janë rreth 1200 pozicione që lançohen çdo vit. “Programi nuk kërkon eksperiencë të mëparshme dhe as të jesh ekselencë, edhe pse është një plus i madh të qenit ekselent”, tha Muzhaqi.
“Ky program është një trampolinë për të marrë eksperiencë të nevojshme, qoftë për të punuar në administratë, qoftë për të vijuar karrierën tuaj në privat, duke mos u përballur me shprehjen “nuk ke eksperienc디, tha më tej ministrja Muzhaqi.
“Janë 9000 të rinj që kanë qenë pjesë e këtij programi në total”, tha ajo.
/rtsh.al/