Balliu: Zjarret kapën në befasi Forcat e Armatosura, PD kërkon hetim

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Koordinatorit rajonal për Tiranën i Partisë Demokratike, Klevis Balliu reagoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend.
Ai kërkoi hetim të menjëhershëm të gjendjes së Forcave të Armatosura.
“Prej tri ditësh zjarret kanë pushtuar Shqipërinë dhe Emergjencat Civile, Ushtria dhe të gjithë hallkat e sigurisë, janë kapur në befasi”, tha Balliu.
Ai nënvizoi se, zjarret janë një ngjarje e rëndë, fatkeqësisht e përsëritur.
“Qeveria si gjithmonë, fatkeqësisht e papërgatitur. Jo vetëm pyjet, shtëpitë, banorët dhe pasuritë e tyre janë në rrezik, por edhe jeta e ushtarëve, zjarrfikësve dhe policëve, të pamundur për tu përballur me situata të tilla, si pasojë e mungesës së theksuar të pajisjeve. Prej kohësh është denoncuar mungesa e mjeteve, makinerive dhe specialistëve të fushës, por nuk është marrë asnjë masë”, theksoi ai.
Sipas tij, zjarret nuk kërcënojnë vetëm territorin dhe jetën, por nxjerrin në pah se sa të papërgatitura janë Forcat e Armatosura.
Balliu theksoi se, “institucionet e drejtësisë duhet të hetojnë çfare është bërë me fondet për Forcat e Armatosura, si është gjendja e tyre; a kemi specialistë; a i plotësojmë ne standardet dhe kriteret e NATO-s? Ku janë institucionet e drejtësisë së re kur Shqipëria digjet si rrjedhojë e abuzimeve te pushtetit?”
Ai nënvizoi se, fshehja e kësaj situate përben cenim te sigurisë kombëtare.
“Partia Demokratike kërkon hetim të menjëhershëm të gjendjes së Forcave të Armatosura, mbledhjen e Këshillit te Sigurisë dhe vënien ne funksion, në bashkëpunim me aleatët tanë, të strategjisë për një plan mbrojtjeje, me qëllim rikthimin e normalitetit në Shqipëri”, tha Balliu.