E Enjte, 5 Nëntor 2026

Vokshi: Mungesa e barna të skaduar në QSUT, shëndetësia e nënfinancuar

TIRANË, 31 korrik /ATSH/Deputetja demokrate Albana Vokshi ngriti shqetësimin e situatës së shëndetësisë në vend duke thënë se QSUT po përballet me mungesë medikamentesh e barna të skaduar.

“Pacientët jo vetëm nuk arrijnë të marrin shëndetësi falas, por nuk marrin as shërbim shëndetësor në pjesën më të madhe. Sektori i Shëndetësisë është i nënfinancuar, dhe ai buxhet shkon kryesisht në 4 koncesionet e panevojshme, abuzive e korruptivë që në total shkojnë rreth 450 mln euro”, u shpreh Vokshi.

“E kanë pranuar pa u skuqur pa u zverdhur pa asnjë ndjesi njerëzore mungesën e medikamenteve: Irinotecan, Erlotinib është në mungesë. Ka qenë donacion, por nuk ka më në gjendje! Nuk bëhet tenderi se duhet bërë pazari që të bëhet tenderi. Pacientëve ju është dhënë dozë e reduktuar cdo 10 ditë. Gencitabina është në mungesë, jodi është më mungesë që nga janari. Kush është përgjegjës për mungesat?”, theksoi ajo.

Ajo shtroi pyetjet për ministren e Shëndetësisë dhe drejtueses të QSUT: A ka sasi të skaduara në QSUT të medikamentit FEIBA? Ku ndodhet momentalisht sasia prej 1137 flakonë të medikamentit FEIBA me datë skadence 31 dhjetor 2023? A është futur kjo sasi FEIBA e skaduar në farmacinë e pediatrisë ndërkohë që sistemi SISP nuk e lejon?

“Përgjegjësit për këtë situatë në shëndetësi janë Edi Rama, ministrat e Shëndetësisë ndër vite (Beqaj, Manastirliu dhe Koçiu) si dhe drejtuesit e QSUT ndër vite. Duhet të ndryshojmë situatën në shëndetësi në mënyrë që qytetarëve t’u respektohet e drejta kushtetuese për një shërbim shëndetësor të denjë. Duhet të reagojmë, të marrim fatin tonë në duar, për të mbrojtur shëndetin! Për të mbrojtur jetën”, deklaroi Vokshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›