E Enjte, 5 Nëntor 2026

Tavo: Mbështetje himariotëve të investojnë në pronat e tyre

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste, për kryetar bashkie në Himarë, Vangjel Tavo deklaroi sot se, askush nuk do të zaptojë pronën e himariotëve.

“Himariotët kanë të drejtën e Zotit dhe të ligjit, t’i gëzojnë pronat e tyre. Askush që tenton të zaptojë pronën e tyre nuk e ka dhe nuk ka për ta patur kurrë të hapur derën e Bashkisë së Himarës dhe asnjëherë vullnetin, mbështetjen dhe firmën e Vangjel Tavos”, u shpreh Tavo në një intervistë televizive.

Ai siguroi mbështetje për himariotët të investojnë në pronat e tyre.

“Dera e Bashkisë Himarë do jetë e hapur për të gjithë investitorët e ndershëm e të ligjshëm vendas apo të huaj, që me paratë e tyre do t’i shërbejnë zhvillimit dhe ekonomisë së banorëve të Himarës, por pa cenuar as edhe një pëllëmbë të pronës së himarjotëve”, theksoi Tavo.

Tavo inkurajoj himariotët, që “pasi të marrin certifikatat e pronësisë, të investojnë në tokën dhe pronën e tyre, me mbështetjen e plotë timen dhe të Bashkisë së Himarës dhe përmes Bashkisë edhe mbështetjen e Qeverisë”.

“U bëj thirrje publikisht bijve dhe bijave të Himarës që pasi të certifikojnë pronat të vijnë e të investojnë këtu në pronat e tyre, në vendin e tyre, e do kenë mbështetjen time të plotë, të Bashkisë dhe Qeverisë”, nënvizoi Tavo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›