Ballkani bllokohet nga dëbora

Pjesa më e madhe e territorit të Bullgarisë është bllokuar nga dëbora. Qeveria bullgare ka njoftuar se disa akse të mëdha janë të pakalueshme dhe qindra lokalitete kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërprerja e linjave elektrike pas motit të keq ka lënë pa energji elektrike miliona familje në veri të vendit. Ministria e Situatave të Emergjencës njofton gjithashtu se furnizimi me ujë dhe ushqime është ndërprerë. Autoritetet i kanë bërë thirrje popullsisë të shmangë çdo lëvizje ndërkohë që qindra drejtues automjetesh ishin të detyruar ta kalonin natën në makinat e tyre pasi ishin bllokuar nga dëbora. Trafiku në autostradat që lidhnin lindjen me perëndimin e vendit është rënduar nga dëbora dhe era e fortë dhe disa qafa që lidhin veriun me jugun e Bullgarisë ishin të pakalueshme. Trafiku ajror është bllokuar gjithashtu, duke shkaktuar me dhjetëra vonesa në fluturime. Ministria e Arsimit njoftoi se të paktën 38 shkolla janë mbyllur për shkak të dëborës. Moti i keq ka goditur edhe Serbinë. Të paktën tre persona kanë vdekur dhe disa të tjerë kanë mbetur të bllokuar në një lartësi malore për shkak të reshjeve të mëdha të dëborës që kanë prekur vendin. Moti më dëborë ka shkaktuar kaos në trafikun rrugor, si dhe ndërprerjen e energjisë elektrike në shumë zona të vendit. Autoritetet lokale të qytetit të Nishit kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe ushtrisë. Moti me dëborë ka goditur edhe vendin fqinj të Malit të Zi, duke shkaktuar mbylljen e shumë rrugëve lokale. Temperatura tepër të ulëta dhe reshje dëbore janë shënuar edhe në Kosovë e Kroaci.