Spanjë,zgjidhet mbretëresha e karnavaleve
Mbretëresha e Karnavaleve është zgjedhur. 18 vjeçarja Ana Maria Tavarez Mata do të drejtojë festivalin e sivjetshëm në Santa Kruz të Tenerifës në Spanjë. Mbretëresha Mata, me kostumin e saj që është sponsorizuar nga gazeta "El Dia", dhe që titullohet "Embrujada", ose në shqip "E magjepsura", do të drejtojë paradën e sirenave dhe dragonjve mitologjikë, si dhe shumë krijesa të tjera për kompeticionin e sivjetshëm, që ka si temë filmat horror. Ana Maria Mata, duket qartë se nuk ishte e vetmja që ishte shumë e gëzuar me rolin e saj mbretëror. "Ti nuk mund ta besosh kurrë për herë të parë kur emri yt thërritet si i përzgjedhuri. Duhet ta dëgjosh për herë të dytë ose të presësh më shumë, që ta besosh përfundimisht se je përzgjedhur si mbretëreshë", u shpreh Leo Martinez, i cili ka dizenjuar kostumin "E magjepsura". Këtë vit do të shihen edhe pjesëtarë të UNESCO-s të ndjekin festivalin, të cilët do të vendosin nëse këto karnavale do të meritojnë statusin e "Trashëgimisë Njerëzore". Ky lloj klasifikimi është bërë vetëm për tre karnavale të tjera në mbarë botën, në Binke të Belgjikës, Oruro të Bolivisë dhe në Barrankila të Kolumbisë.