Ballkonet panoramike të Llangës do të pasurojnë ofertën turistike të Steblevës

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Në Llangë të Librazhdit vijon puna për ndërtimin e dy ballkoneve panoramike, investim i bashkisë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë.
Kryetari i bashkisë së Librazhdit, Marengeln Disha inspektoi nga afër punimet që po kryhen në fshatin Llangë, në njësinë administrative Steblevë.
“Me një sipërfaqe totale prej 500 m², këto pika panoramike pasurojnë ofertën turistike të Steblevës, duke krijuar një tjetër atraksion për vizitorët dhe duke promovuar bukuritë natyrore të zonës”, tha ai.
“Këto ballkone panoramike do t’i shërbejnë projektit të parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Ky park ka katër projekte: ballkonet panoramike, çezmën e Llangës, zip line dhe observatori astronomik që është tek liqeni i Fushë-Studenit”, tha Disha.
Aktualisht projekti ndodhet në fazën e përfundimit.
“Këto objekte do t’i shërbejnë turizmit në këtë zonë, kjo njësi është më e pasura e bashkisë Librazhd që pret vizitorë vendas e të huaj”, tha ai.
Këtë vit ka më shumë turistë të huaj të shtunë e të diel duke arritur në 2 mijë persona. Ndërsa gjatë fundjavës vijnë rreth 400-600 të huajt me kampera, motorë, biçikleta etj.
Ky investim pritet të sjellë zhvillim ekonomik lokal, rritje të numrit të vizitorëve dhe promovim të qëndrueshëm të potencialeve natyrore të zonës.
/k.s/j.p/r.e/