Instituti i Gjeoshkencave: Temperaturat e larta, rrezik i lartë për zjarre në pjesën më të madhe të vendit

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave bëri me dije se pjesa më e madhe e territorit të vendit do të jetë nën nivel të lartë rreziku për zjarre në pyje gjatë pasdites së sotme dhe ditës së mërkurë, si pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve.
Sipas parashikimit, rreziku “i lartë” pritet në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërsa në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër niveli i rrezikut parashikohet “i moderuar”, megjithëse në disa zona të lokalizuara të këtyre qarqeve rreziku do të jetë gjithashtu i lartë.
IGJEO thekson se “niveli i lartë i rrezikut pritet në pjesën perëndimore të qarkut Shkodër, në verilindje të qarkut Kukës dhe në perëndim të qarkut Dibër”. Sipas parashikimit, rreziku do të jetë më i lartë gjatë ditës së mërkurë.
Ndërkohë, për dy ditët në vijim nuk parashikohen reshje shiu në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat e ajrit gjatë së mërkurës pritet të arrijnë deri në 34 gradë Celsius në zonat bregdetare, deri në 37 gradë në vendet e ulëta dhe deri në 33 gradë Celsius në zonat malore. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare.
/e.i/j.p/r.e/