E Diel, 1 Nëntor 2026

Plazhi i Lukovës, ujë i kristaltë dhe rërë e bardhë

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Plazhi i Lukovës, një nga destinacionet më të bukura dhe më të frekuentuara gjatë verës është zgjedhje e preferuar për pushuesit vendas, por edhe ata të huaj.

Lukova, një nga fshatrat karakteristikë të Rivierës shqiptare, që gjendet mes Sarandës dhe Himarës, 30 minuta larg secilit prej dy destinacioneve turistike të Shqipërisë së jugut ofron një panoramë unike dhe oaz qetësie, sidomos gjatë sezonit turistik.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Lukovës, me ujin e kristaltë dhe rërën e bardhë.

Plazhet e vogla të Lukovës, të rrethuara me kodrina të gjelbëruara, mbeten gjithmonë një destinacion i preferuar për pushuesit, sidomos për atë kategori turistësh që duan të jenë larg kaosit dhe zhurmës.

Fshati shtrihet në dy kodra të veshura me plantacione ullinjsh dhe portokallesh në një lartësi prej 150 m nga bregu i detit dhe në bregdetin e saj të gjerë strehon një numër të madh plazhesh të përmasave të ndryshme, duke filluar që nga plazhet e vogla deri tek plazhet popullore të njohura për pushuesit shqiptarë, si plazhi i Shpellave dhe ai i Bunecit.

Natyra e paprekur, uji i kristaltë i Jonit, rrugët me kalldrëmin karakteristik, me shtëpitë e tipike me muret mbuluar me lule, plazhet, flora dhe fauna e pasur detare janë vetëm disa nga sekretet që ju duhet patjetër të zbuloni këtë verë në Lukovë.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›