Ballsh, policët kërcënojnë me grevë urie

Pasditen e së hënës, policët janë lajmëruar se do të zëvendësohen dhe se brenda pak ditësh duhet të dorëzojnë të gjithë bazën materiale që kanë marrë gjatë kohës që u punësuan.
Zëvendësimi i policëve të KPTHN-së, sipas drejtuesve të Komisariatit të Policisë Ballsh, si dhe të kreut të kombinatit, Gramoz Nazëraj, do të realizohet brenda pak javësh, kur dhe të dorëzohet përfundimisht aktmarrëveshja mes drejtuesve aktualë të kompanisë “ARMO” sh.a. dhe pronarëve të rinj të saj.
Duke u përballur me largimin nga puna, si dhe duke mos marrë pagën për afro shtatë muaj, 88 policët e KPTHN-së së Ballshit kanë vendosur të hidhen në protestë. Ndërkohë, një pjesë e tyre kanë zgjedhur t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar një zgjidhje të problemit.
Gjatë paradites së djeshme, të 88 policët që ruajnë KPTHN-në kanë braktisur vendrojat e tyre dhe janë mbledhur përballë stacionit policor, ku kanë punuar për shumë vite. Më pas, grupi i policëve protestues i është drejtuar portës kryesore të Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës ku dhe kanë hedhur parulla, me anën e të cilave ka kërkuar pagën e pamarrë.
Protesta përpara sheshit të KPTHN-së ka zgjatur më shumë se një orë dhe ka vijuar përpara portës së Komisariatit të Policisë. Aty grupi i policëve protestues është sistemuar dhe ka vendosur që një pjesë e tyre të hidhen në grevë urie, ndërsa një pjesë tjetër të bllokojë aksin kombëtar Ballsh-Tepelenë.
Policët të tregojnë se nuk kanë marrë pagën e tyre që nga muaji maj i këtij viti. Ata janë mbajtur me shpresa dhe janë sorollatur sa në zyrën e financës së KPTHN-së në atë të Komisariatit të Ballshit dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit. “Mbush shtatë muaj pa u paguar dhe tani na thonë se do të hidhemi në mes të katër rrugëve. Të paktën të na shlyejnë borxhin që na kanë”, thotë polici Kastriot Shehaj.
Stacioni i policisë në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh ka pasur një varësi administrative të dyfishtë: nga Policia e Shtetit dhe nga ARMO. Këta policë punojnë në bazë të ligjeve për policinë, por paguhen nga ARMO.
Shefi i Komisariatit të Ballshit, Viktor Ago, deklaron se ka komunikuar me krerët e “ARMO”-s për pagesat e prapambetura dhe ata kanë premtuar shlyerje të tyre. Ndërkohë, drejtori i KPTHN-së, Gramoz Nazëraj, thotë se fondi i pagave të prapambetura për 88 policët do të lëshohet para festave të fundvitit.
Që nga muaji qershor i këtij viti, policëve nuk u është rilidhur kontrata me drejtorinë e policisë së qarkut, ndërkohë që brenda këtij muaji shërbimi i tyre do të zëvendësohet me polici private, për të cilën do të vendosin pronarët e rinj të ARMO-s, nga varet edhe Kombinati i Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh.
AC_FL_RunContent( 'codebase','http://download.macromedia.com/pub/shockwave/cabs/flash/swflash.cab#version=9,0,28,0','width','580','height','99','src','flash/banner','quality','high','pluginspage','http://www.adobe.com/shockwave/download/download.cgi?P1_Prod_Version=ShockwaveFlash','movie','flash/banner' ); //end AC code