E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balluku: Aeroporti i Vlorës merr kodin nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, IATA i ka vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave aeroportit të Vlorës, VLO.

Lajmin e bën të ditur zv.kryeministrja e njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

“IATA (Shoqata Ndërkombëtare e Transportuesve Ajror) ka vlerësuar aplikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe i ka vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave: VLO”, shkruan ministrja.

IATA është standardi më i lartë i të udhëtuarit me avion sipas standardeve globale, të sigurtë, me kompanitë ajrore më të fuqishme, me çmime të favorshme, më të lira se në faqet e tyre zyrtare dhe për këtë duhet akreditimi i agjencisë së udhëtimit nga IATA.

Kjo u lejon agjencive të udhëtimit të shesin bileta në emër të kompanive ndërkombëtare ajrore lider në treg.

Aeroporti i Vlorës ka një pistë të dizenjuar për avionë 4E, që janë avionë me trup të gjerë, airbus 330-340, apo Boeing 777 që janë të përshtatshëm për t’u akomoduar në këtë aeroport. Një nga rrugët lidhëse paralele me pistën është me të njëjtën gjatësi, 3.2 km  dhe do të garantojë kapacitet më të lartë të lëvizjes së avionëve.

Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, porta ajrore e jugut të Shqipërisë synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›