Rama në Vlorë: Po hedhim bazat për Shqipërinë 2030, paga minimale do jetë 650 euro

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me pedagogë dhe studentë në Vlorë, ku ka theksuar rëndësinë e krijimit të një procesi të ri që nxit ndërveprimin dhe bashkëpunimin midis të gjithë aktorëve të shoqërisë, për të arritur qëllime të përbashkëta.
Rama ka bërë një pasqyrë të arritjeve të Shqipërisë që kur PS mori detyrën në 2013 dhe deri më sot, ku nënvizoi se Prodhimi i Përgjithshëm Bruto është rritur me 2.5 herë gjatë dekadës së fundit dhe se synimi për vitin 2030 është që ai të arrijë në 35 miliardë euro.
Ai gjithashtu ka përmendur se papunësia ka rënë në nivele historikisht të ulëta dhe se paga minimale në 2030 do të jetë 650 euro.
“Këtu në Vlorë po hedhim bazat e një procesi dhe të një rruge ndryshe duke arritur që të krijojmë mundësinë e një ndërveprimi dhe bashkëpunimi mes të gjithë aktorëve të shoqërisë duke e kapërcyer hendeqet polikë që shpesh bëhen shkak i mungesës së shfrytëzimit të të gjitha energjive në funksione të qëllimeve të përbashkëta. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto është rritur me 2.5 herë në vetëm një dekadë, dhe ambicia jonë për 2030 është ta çojmë në 35 miliardë euro. Nga 2013-2024 papunësia është në nivelin më të ulët historik me 8.8 % nga 17.5 % në 2014. Në 2030 synojmë ta kemi nën 6 % pra në mesataren e BE-së. Lidhur me rritjen e pagës minimale jemi në 400 euro dhe synojnë që në 2026 ta çojmë në 500 euro paga minimale. Në 2030 projeksioni ynë është ta çojmë në 650 euro dhe të mos ketë më pagë poshtë saj. Eksportet janë 3-fishuar me 213 kur morëm detyrën. në 2024 kemi 9.1 miliardë euro eksporte në 2024”, tha Rama.
Një tjetër çështje e rëndësishme që kryeministri Rama ka përmendur është edhe borxhi publik. Ai ka thënë se borxhi i Shqipërisë ka pësuar një ulje të ndjeshme, nga 70.4% në vitin 2013 në 54% në vitin 2024. Synimi është që, deri në 2030, borxhi të arrijë në 50%, një nivel që është më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian.
“Lidhur me borxhin publik që është një sfidë shumë e madhe në 2013 borxhi zyrtar ishte 70.4 % ndërkohe që kishim edhe një borxh të fshehur, dhe në 2024 borxhin e kemi 54.0 % dhe në 2030 synojmë që borxhin ta çojmë tek 50% dhe është më mirë se mesatarja e BE-së. Investimet në qarkun Vlorë janë 610 milionë euro dhe 321 projekte të kryera në këtë qark. Universitet duhet të kenë në sinergji me jetën e përditshme dhe lidhjen e tyre me politik-bërjen, vendimmarrjen dhe tregun e punës”, shtoi kryeministri.
Në fund, Rama ka theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një objektiv i rëndësishëm për Shqipërinë, dhe se ky proces duhet të përqendrohet në forcimin e shtetit të së drejtës
“Themeli i anëtarësimit në BE është pikërisht shteti i së drejtës dhe arsyeja themelore pse duhet të anëtarësohemi është që ta bëjmë të paprekshme shtetin e së drejtës që në perceptimin e njerëzve që kanë pushtete. Ne kemi një thyerje të jashtëzakonshme me të kaluarën lidhur me shtetin e së drejtës, tha Rama.
/rtsh.al/