E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha me diasporën në Selanik: Më 11 maj jepni kontributin për shpëtimin e Shqipërisë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me diasporën në Selanik, ku ka bërë thirrje për kontributin e tyre në zgjedhjet e 11 majit. Berisha e cilëson votën e diasporës si një votë për “shpëtimin e Shqipërisë”, dhe 11 majin si një ditë vendimtare për të ardhmen e kombit shqiptar.

Sipas Berishës, qeveria ka sjellë varfëri, dhunë dhe përçmim ndaj shqiptarëve, duke reduktuar numrin e popullsisë të një niveli alarmant.

“Shqipëria këto 12 vite ka njohur të këqija që nuk i mban vendi në tërë historinë e saj. Asnjë pushtues, asnjë epidemi, asnjë zi buke, nuk ka arritur në 12 vite të pakësojë shqiptarët me 45% të kombit, siç ka arritur regjimi i Edi Ramës. Dhe ju jeni dëshmitarë, se ai arriti me dhunë, arriti me varfëri, arriti me përçmim dhe me poshtërim të shqiptarëve.

Të dashur miq, qëndrimi i shqiptarëve në 11 maj është shpëtimtar, është vendimtar për të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë. Ju lutem, mendoni për një moment ku jemi ne sot, shqiptarët? Se çfarë të ardhme kemi ne sot? Një komb, i cili nga viti 2019 e gjer sot ka më shumë vdekje se lindje. Një komb, i cili sipas OKB, javën e kaluar ka, për shkak të emigracionit, lindëshmërinë më të ulët në botë. Po, shkollat? Institucionet e dritës dhe edukimit, pse mbyllen? Mbyllen sepse, nuk kanë nxënës. Mbyllen se mbeten me një nxënës. Se, Erseka në vitin 2030 në klasë të parë do të ketë vetëm një nxënës”, tha Berisha.

Berisha ka kërkuar nga shqiptarët në diasporë që të bashkohen për të dhënë kontributin e tyre në 11 maj, duke shtuar se ky është një “kushtrim për çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar”.

“A nuk është ky një kushtrim për çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar, kudo që ndodhet nga Afrika e Jugut në Polin e Veriut, nga një skaj i botës në skajin tjetër? Nga njëra anë e Greqisë në anën tjetër, që me 11 maj të japë kontributin e tij për shpëtimin e Shqipërisë”, shtoi lideri demokrat.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›