Balluku: Opozita përdor krizën dhe jep sugjerime nga karrigia!

Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka akuzuar opozitën se po përdor krizën aktuale për kredo politike. Duke folur në parlament gjatë mocionit të debatit kërkuar nga grupi i Partisë Demokratike, zonja Balluku tha se qeveria ka marrë të gjitha masat për të menaxhuar krizën.
Ministrja hodhi poshtë kërkesën e opozitës për uljen e taksave dhe tha se një gjë e tillë nuk mund të bëhet.
“Faktet flasin ndryshe dhe pavarësisht se ju e keni dëshirën ti mohoni. Kriza është ndërkombëtare e nxitur nga situata gjeopolitike. Krizën e energjisë e kemi paralajmëruar në shtator. Ju thatë që nuk ka krizë dhe është instrument që po përdor Rama. Unë realisht nuk e di me cilën cilësi flisni kur shitet dhe blihet energjia në Shqipëri. Ju në SPAK mund të çoni çdo dosje. E vetmja gjë që keni bërë nga ndarja mes jush kanë qenë dosjet për SPAK. Ne nuk kemi asnjë problem. Çdo dosje e çuar nuk ka asnjë problem sepse jemi të gatshëm të përgjigjemi për të gjitha”.
Zonja Balluku tha se kriza mbarë botërore ka prekur çdo familje, por më të prekurat janë shtresat në nevojë. Duke kujtuar se kryeministri Rama dhe qeveria e tij hoqë taksat për biznesin e vogël, zonja Balluku pyeti: “Si mund të thoni ju që këto taksa janë vendosur për të goditur punën? Ju që i keni pasur taksat më të larta? Ju e dini shumë mirë çfarë keni bërë për pensionet!” tha ajo.
Ministrja Balluku kujtoi se “Kjo është një paketë e tërë. Mbështetet në buxhetin e shtetit. Nëse do të hiqnim të gjitha taksat siç sugjeroni ju nga karrigia, por me cilat para do të kompensohet 3 mijë lekëshi që do t’u jepet njerëzve në nevojë. Si do ti kompensojmë ne të gjithë ata që përdorin transportin urban. Si do të kompensohen bujqit? Si do të kompensohen të gjithë familjet, të cilat sot nuk ekspozohen ndaj çmimit të energjisë” pyeti zonja Balluku.
Akuzave të opozitës për oligopol, zonja Balluku ju përgjigj: “Asgjë nuk ka ndryshuar nga tregu i naftës dhe gazit. Ai është një treg i lirë dhe qeveria shqiptarë përveç kësaj here kemi ngritur një bord për të bërë transparencën e çmimeve. Ne nuk kemi ndërhyrë kurrë në këtë treg. Ju keni lënë gjurmë në sektorin e hidrokarbureve privatizimin e ARMO-s. Ju që sot kërkoni llogari edhe për krizat gjeopolitike. Qytetarët janë shumë të qartë. Do të ishte mirë që në kohë lufte të kujdesemi të gjithë bashkë për qytetarët. Do ishte mirë të uleshit me ne dhe të diskutonim mbi masat dhe jo të përdorni çdo fatkeqësi” i sugjeroi opozitës Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.