Berisha: Fatos Nano, personalitet kryesor i së majtës shqiptare gjatë tranzicionit

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit e ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Dikur rivalë të drejtpërdrejtë në betejat politike, Berisha nënvizoi përmes një shënimi në rrjetet sociale, se Nano ishte personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit.
“Fatos Nanon mbyll sytë përgjithmonë. Të dashur miq, Fotos Nano, ish-kryeministër i vendit dhe ish-kryetar i Partisë Socialiste, personalitet kryesor i të majtës shqiptare gjatë tranzicionit, mbylli sytë përgjithmonë”, shkruan Berisha.
Berisha theksoi se “Fatos Nano ka meritën e reformimit të Partisë Socialiste, anëtarësimin e saj në forume të majta ndërkombëtare si dhe pranimin nga ai vetë të rotacionit të pushtetit”.
“Me këtë rast shpreh ngushëllime familjes, miqve, të afërmve të tij dhe socialistëve. Amen!”, shkruan Berisha.
Ish-kryeministri Fatos Nano u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore.
Fatos Nano ka shërbyer pesë herë si kryeministër dhe për mbi 14 vjet si kryetar i Partisë Socialiste.
Në vitin 2023, Kryeministri Edi Rama i akordoi Fatos Nanos “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, për kontributin e shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues dhe demokratik, si dhe për reformimin dhe modernizimin e Partisë Socialiste.
Nano njihet si themeluesi i së majtës moderne në Shqipëri, i cili nuk fshehu të kaluarën e partisë, por e menaxhoi dhe transformoi atë drejt vlerave europiane dhe standardeve demokratike.
/m.q/