Bamir Topi përfundon vizitën në Kosovë

Para se të largohej nga Kosova, që ishte vizita e tij e fundit si president, ai ka vizituar familjen Jashari në Prekaz, ku është pritur nga Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar të ish UÇK-së, Adem Jashari.
Duke folur për figurën e heroit Adem Jashari, presidenti Topi është shprehur se “trimi legjendar, historinë e tij e ka shkruar me shkronja të arta dhe se jo vetëm Kosova, por mbarë shqiptarët krenohen me këtë trim të madh”.
Presidenti Topi sot vizitoi edhe kompleksin e varrezave në Gllogjan dhe familjen Haradinaj, ndërsa në komunën e Gjakovës, ai është shpallur “Qytetar Nderi i Gjakovës”
Topi, ‘Qytetar Nderi' i Gjakovës
Në mesditën e sotme, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi në krye të delegacionit zyrtar vizituan Komunën e Gjakovës ku u pritën në mënyrë madhështore nga Kryetari Pal Lekaj si dhe nga kryetarët e Komunave Prishtinë, Prizren, Pejë, Drenas dhe Skënderaj si dhe nga qindra qytetarë, të cilët i dhuruan një mirëseardhje të ngrohtë e vëllazërore Kreut të Shtetit shqiptar.
Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar me këtë rast, Kryetari i Shtetit shqiptar dekoroi Komunat e Gjakovës, Skënderajt dhe Pejës me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me këtë motivacion: “Për rolin historik në përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi, për meritat e veçanta në zhvillimin e lëvizjes kombëtare, për ndjenjat e larta patriotike dhe liridashëse, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e traditës dhe forcimin e identitetit kombëtar”.
Komunën e Drenasit, Presidenti Topi e dekoroi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin e mëposhtëm: “Për rolin historik në përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi, për meritat e veçanta në zhvillimin e lëvizjes kombëtare, në veçanti për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ndjenjat e larta patriotike dhe liridashëse, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e traditës dhe forcimin e identitetit kombëtar”.
Ndërsa Komunën e Prizrenit, Kryetari i Shtetiti shqiptar e nderoi po me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, por me motivacionin: “Për rolin historik në përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi, për meritat e veçanta në zhvillimin e lëvizjes kombëtare dhe kurorëzimin e saj me Lidhjen e Prizrenit, për ndjenjat e larta patriotike dhe liridashëse, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në ruajtjen e traditës dhe forcimin e identitetit kombëtar”.
Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Topi theksoi: “Çdo vizitë në Kosovë është emocionale, por ditë të tilla japin shumë emocione të mëdha. Së pari për borxhin e madh moral e qytetar ndaj kësaj pritje thellësisht vëllazërore, të vëllezërve e motrave në Prishtinë, në Prekaz, në Glogjan e këtu në Gjakovë; dhe së dyti sepse fati e deshi të përshkoj nga afër dje e sot komuna e vende, të cilat gjatë historisë sonë kombëtare na kanë bërë të ndjehemi përherë krenarë. Çdo pëllëmbë e Kosovës është e mbushur me histori ndaj kudo që të shkosh, këto që të takosh, ndjen nderimin e thellë për pjesën e kombit që për mese një shekull përjetoi sakrifica të jashtëzakonshme për të arritur synimin e merituar: shtetin e lirë dhe të pavarur të Kosovës.
Topi në familjen Jashari
Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi ka vizituar sot herët në mëngjes familjen Jashari në Prekaz, ku u prit nga Rifat Jashari, vëllai i komandantit lengjendar Adem Jashari.
“Është një emocion i veçantë që ndodhem në familjen e Adem Jasharit”, tha me këtë rast presidenti Topi, megjithëse kjo nuk është hera e parë që ai ndodhet në Prekaz. Topi tha se vjen këtu për të satën herë “sepse ky vend simbolizon më shumë se çdo vend tjetër në Kosovë atë qëndresë të jashtëakoznshme dhe ato sakrifica të panumërta që kanë bërë qytetarët e Kosovës”. Ai e ka cilësuar familjen Jashari si “familja emblemë e të gjithë shqiptarëve”. Duke folur për figurën e heroit Adem Jashari, presidenti Topi tha se trimi legjendar historinë e tij e ka shkruar me shkronja të arta dhe se jo vetëm Kosova, por mbarë shqiptarët krenohen me këtë trim të madh, raporton Kosovapress.
“Sa herë që vijë te familja Jashari shoh një rigjenerim të saj dhe sa herë që e gjej me më shumë njerëz”, tha Topi.
Ndërsa Rifat Jashari në emër të familjes e ka falënderuar presidentin për vizitën e tij në Kullë. “E falënderoj gjithë popullin shqiptar, i cili që nga ajo ditë nuk na lë vetëm”, tha me këtë rast ai.
Edhe pse sipas agjendës zyrtare, ishte planifikuar që presidenti të bënte homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz ku prehen trupat e Adem Jasharit me familje, të cilët ranë për lirinë e Kosovës, kjo vizitë nuk ëhstë realizuar. Sipas burimeve të Kosovapress, kjo vjen si pasojë e një lëndimi të lehtë në këmbë të presidentit shqiptar Topi. Megjithatë kurora lulesh pranë varrit të Adem Jasharit ka vendosur bashkëshortja e presidentit, zonja e parë Teuta Topi.