Lamtumira presidenciale
Presidenti në largim i Shqipërisë, Bamir Topi, ka bërë vizitën e fundit në Kosovë në cilësinë e kreut të shtetit shqiptar, ku edhe ka përsëritur fjalët tashmë klishe për bashkëpunimin Tiranë – Prishtinë.
Pas takimit me Presidenten Atifete Jahjaga, Topi ka pranuar se dy vendet kanë disa probleme mes vete, por ka dhënë parashikime optimiste se ato do të rregullohen në të ardhmen.
“Sigurisht që gjithmonë ka probleme, por jam i bindur që vitet që vijnë patjetër që do të ofrojnë një perspektivë të re të këtyre marrëdhënieve, që besoj se janë edhe aspiratë e popujve tanë”, ka thënë Topi.
Presidenti shqiptar është pritur me ceremoni të veçantë në Prishtinë, ku ka marrë pjesë edhe Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me këtë rast, Presidentja Jahjaga ka thënë fjalë të mira për Topin dhe veten, duke deklaruar se dy Presidentët angazhohen jo vetëm për paqen në vendet e tyre, por edhe për vendet e botës.
“Edhe Presidenti Topi edhe unë jemi faktorë uniteti në vendet tona dhe, duke pasur idealin tonë, angazhohemi për paqe dhe stabilitet, si dhe për mirëqenien e të gjitha kombeve, si në rajon, ashtu edhe në mbarë botën”, ka vlerësuar Jahjaga Topin dhe veten.
“Unë i kam të njohura mirë emocionet e Presidentit Topi për Kosovën dhe popullin e saj, për përkushtimin e tij për të gjitha çështjet e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ajo.
Dy Presidentët kanë folur edhe për zgjedhjet në Serbi, ku në pushtet kanë ardhur partitë që kanë qenë në pushtet në vitet e 90’të.
“Do të dëshiroja që vetë Serbia nuk duhet të dalë jashtë projekteve të integrimit euroatlantik. Sepse ky është një proces mbarërajonal. Tendencat sot janë në integrim, askush nuk dëshiron të jetë jashtë kësaj linje, vetëm për shkak të një filozofie që lidhet me retrospektivën nacionaliste”, ka deklaruar Presidenti Topi
Edhe pse ka thënë se ardhja e radikalëve në Serbi është zgjedhje e popullit serb, Presidentja Jahjaga ka thënë se liderët serbë duhet të njohin realitetin e Kosovës.
“Tani ne jemi duke jetuar në një shekull krejtësisht të ri dhe mesazhi im për Republikën e Serbisë dhe për lidershipin për atë pjesë është që duhet të pranojnë realitetin e ri. Ky është realitet dhe nuk ka kthim mbrapa dhe vetëm në këtë mënyrë mund të udhëhiqen duke përkrahur njëra-tjetër në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane dhe integrimeve euroatlantike”, ka deklaruar Jahjaga.
I pyetur për mundësinë e ndarjes së veriut të Kosovës, Presidenti Topi ka përsëritur se një histori e tillë është e tejkaluar.
“Në mënyrë absolute nuk duhet të mendohet që mund të ketë ndarje të Kosovës. Kjo histori është e përfunduar. Të gjithë duhet të mësohen me këtë realitet, edhe ata që e kanë një ëndërr të deformuar”, ka thënë Topi.
Për të nderuar Presidentin Topi, Kuvendi i Kosovës ka organizuar një seancë solemne.
Duke folur në Kuvend, Topi ka thënë se shteti i Kosovës ka arritur të ecë dhe të prosperojë drejt BE’së.
“Kosova dhe ecja e saj përpara nuk kanë kthim pas”, ka thënë Topi në Kuvend.
Gjatë ditës, kreu i Shqipërisë ka takuar Zëvendëskryeministrin e Parë, Behgjet Pacolli dhe kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafa.
Me Pacollin ka ngrënë drekë, ndërsa kryetarit të LDK’së dhe të kryeqytetit ia ka dhënë titullin “Gjergj Kastriot Skenderbeu”.
Por, në agjendën e Topit nuk ka qenë i paraparë një takim me Kryeministrin Thaci, i cili sipas njoftimeve, ka udhëtuar jashtë vendit.
Topi ka bërë homazhe edhe te varri i Presidentit Rugova dhe ka vizituar familjen e tij.
Në ditën e dytë, Topi pritet të bëjë homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe te kompleksi i Haradinajve në Gllogjan të Deçanit.
Bamir Topi ka ardhur në krye të shtetit shqiptar nga posti i Nënkryetarit të Partisë së Sali Berishës. Por, në fund të mandatit, ai ka prishur raportet me Kryeministrin e Shqipërisë dhe është paralajmëruar se do të krijojë një parti të re në Shqipëri.
Presidenti në largim i Shqipërisë nuk ka dashur të komentojë shumë për Berishën dhe Liderin e opozitës, Edi Rama, duke thënë se secili e luan rolin e vet në kuadër të zhvillimit të demokracisë.