E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bamir Topi, shpall dhe fsheh, ustain e tij Rama

29-07-2012 / Gazeta 55

Kreu politik i FRD-së shpalli brenda 60 minutash nga largimi prej selisë së presidencës se do t’i kushtohej mundësimit të rotacionit politik në 2013-n. Deklarata ka vënë në pozitë të vështirë qëndrimin hermafrodit të partisë së Oketës, se s’do të votohej kundër mazhorancës së kryeministrit Berisha. Dje, zëdhënësja zyrtare e FRD-së, njëkohësisht me një kasnec të Kreshnik Spahiut, deklaruan se s’do të bënin aleancë as me PS-në e as me PD-në, por frazat s’fshehin dot vullnetin e Bamir Topit, i cili 60 minuta pas presidencës dekonspiroi emrin e ustait të tij, Edi Ramës

Pa kaluar as 60 minuta nga shkurorëzimi i Bamir Topit si President, futja në qorrsokak e FRD-së ishte i pari “sukses” i tij si ish-President. Kreu politik i FRD-së, fillimisht në një darkë “informate” shpalli brenda 60 minutash nga largimi prej selisë së presidencës se do t’i kushtohej mundësimit të rotacionit politik në vitin 2013.
Këtë e konfirmoi edhe 48 orë më vonë, në studion e një televizioni.
Sikurse pritej “premtimi” i Bamir Topit “mori dhen” nëpër media të shkruara dhe elektronike.
Kaq u desh, filli, se çorap e bënin vetë pastaj.
Por njëherazi dëshira “e konservuar” e Bamir Topit, e mezi pritur për ta shprehur me zë e me figurë, më e pakta, ose ka krijuar probleme me ‘drejtuesit” e tjerë të FRD-së, dhe më e shumta ka nxjerrë gënjeshtar Gazment Oketën. Deklarata “e gatuar” prej kohësh nga Bamir Topi për “rotacion politik” në vitin 2013, ka vënë në pozitë të vështirë qëndrimin hermafrodit të partisë së Oketës, i cili po me zë e me figurë është shprehur se nuk do të votojë kundër mazhorancës së kryeministrit Sali Berisha.
Kjo u duk më së miri dje, kur falë një sinkronizmi, nga njëra anë zëdhënësja zyrtare e FRD-së, dhe njëkohësisht nga ana tjetër kasneci Kreshnik Spahiu, deklaruan se s’do të bënin aleancë as me PS-në e as me PD-në.
Këtë “pohim” nuk u kërkoi askush, por ata më tepër se sa për të folur me vete se sa për “të larë bythën me shurrë”, dolën folën dhe “konfirmuan” mos-aleancat me PD-në e PS-në.
Mos aleanca me PD-në, ishte tepri të amplifikohej, sepse dihet, për më tepër që jo vetëm ftesa nuk kanë nga PD-ja, por kanë refuzime në rastet e aludimeve të mundshme për këto lloj aleancash.
Për pasojë, zëdhënësja e FRD-së dhe kasneci Kreshnik Spahiu, “i ranë pragut, të dëgjojë dera”... Në këtë rast, meraku më i madh është ti dëgjonte Bamir Topi, se sa Edi Rama.
Askush nga partia e Gazmend Oketës apo e Kreshnik Spahiut, nuk dëshiron dekonspirimin kaq shpejt të rehatimit të tyre në prehrin e Edi Ramës. Për të mundur të gënjejnë ndoca “mbështetës”, deri para shkurorëzimit të Bamir Topit, kishin zgjedhur “të rreshtoheshin” formalisht kundër Edi Ramës dhe sinqerisht kundër Sali Berishës. Për konsolidimin e këtyre pozicioneve, “kundër”, kishin nevojë, të paktën deri në mars të vitit 2013, kur nis kristalizimi i koalicioneve zgjedhore. Muaji mars, sipas llogarive (që pop ua prish Bamir Topi), do të ishte kohë optimale, që ta shihnin veten, vetëm kundër Sali Berishës.
Por Bamir Topi “ia futi me top”, kur me padurimin e tij, shëprtheu dhe e zhvendosi marsin e vitit 2013 në korrik të vitit 2012.
Kjo i gjeti të papërgatitur, për më tepër zhvlerësoi “make up”-in, që po mundoheshin të stamponin në surratet e tyre, partia e gazmend Oketës dhe ajo e Kreshnik Spahiut.
Dhe dje, “të zënë ngushtë”, në mënyrë “të pavarura” nga njëra-tjetra, dy gojë të ndryshme artikuluan fraza të përpiluara nga e njëjta dorë,  fraza që gjithë se si, nuk e fshehin vullnetin e Bamir Topit, i cili 60 minuta pas presidencës kishte dekonspiruar emrin e ustait të tij, Edi Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›