E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha, takim me liderët botërorë në Buckingham Palace

29-07-2012 / Gazeta 55

Lojërat Olimpike Londër 2012/ Kryeministri dhe zonja Liri Berisha marrin pjesë në pritjen e organizuar nga Mbretëresha Elisabeth II
 
I ftuar nga Mbretëresha e Britanisë së Madhe Elisabeth II, Kryeministri Berisha mori pjesë, mesditën e së premtes, në një pritje madhështore që Madhëria e saj shtroi në Backingam Palace për kryetarët e shteteve dhe të qeverive që merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes se Lojërave Olimpike, Londër 2012.
Në pritje merrnin pjesë mbretër, princër kurore, presidentë dhe kryeministra nga rreth 80 vende të botës.
Mbretëresha Elisabeth II, në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve, pas mirëseardhjes që u uroi atyre, theksoi se esenca e shpirtit të Lojërave Olimpike është të qenit dhe të vepruarit së bashku.
Madhëria e saj theksoi gjithashtu se këto janë Lojërat e treta Olimpike që zhvillohen në Londër, që nga viti 1908 e deri sot dhe ky është një nder i madh për Britaninë e Madhe, vend themelues dhe djep i shumë sporteve të përhapura sot në mbarë botën.
Në këtë pritje, që zgjati disa ore, Kryeministri Berisha pati biseda dhe shkëmbeu mendime me shumë të pranishëm.
Së pari, Kryeministri falënderoi Mbretëreshën Elisabeth II për pritjen e përzemërt dhe shprehu kënaqësinë e madhe që pati mundësinë t’i urojë direkt përvjetorin e diamante, 60 vjetorin e mbretërimit të saj, periudhë në të cilën Madhëria e Saj ka fituar admirimin dhe respektin e mbarë njerëzve të lirë në botë. Mbretëresha Elisabeth II e falënderoi Kryeministrin Berisha për urimet.
Kryeministri zhvilloi gjithashtu një bisedë me trashëgimtarin e kurorës britanike, Princin e Ëellsit Charles. Lartësia e tij u tregua shumë i interesuar për zhvillimet në Shqipëri dhe e siguroi Kryeministrin Berisha se ka dëshirë të vizitojë Shqipërinë.
Në pritje, Kryeministri Berisha u takua dhe bisedoi me Mbretëreshën e Spanjës, Sofia. Madhëria e saj tregoi interes dashamirës për zhvillimet në Shqipëri. Gjithashtu, Kryeministri takoi Dukën e Madh të Luksenburgut, Princin e Monakos dhe Lartësinë e saj Mbretërore, Princeshën Mathilde të Belgjikës.
Kryeministri u takua me Presidentin e Italisë Giorgio Napolitano, me të cilin u diskutua përzemërsisht mbi vizitën e tij të ardhshme në Shqipëri, si dhe me Presidentin e Portugalisë Anibal Cavaco Silva, Presidentin e Çekisë Vaclav Klaus si dhe me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe atë të Kazakistanit Nursultan Nazerbajev.
Gjatë kësaj pritjeje, Kryeministri Berisha dhe zonja Liri Berisha biseduan përzemërsisht me Zonjën e Parë të SHBA Michel Obama, me Kryeministrin e Rusisë Dimitri Medvedev, Kryeministrin e Holandës Mark Rutter,  Kryeministrin e Belgjikës Elio Di Rupo, atë të Irlandës Enda Kenny, kryeministrin e Danimarkës Thotning  - Schmidt si dhe me kryeministrat e Rumanisë, Malit të Zi, të Bullgarisë, Kancelarin e Austrisë, etj.
Në këto biseda Kryeministri Berisha i njohu ata me zhvillimet në Shqipëri dhe ecurinë e reformave në vend.
Një ditë më parë, Kryeministri Sali Berisha u prit në një takim të veçantë në mjediset e Pallatit Mbretëror (Buckingam Palace) nga Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron.
Nga ana e tij Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron shprehu kënaqësinë që takohej me kryeministrin Berisha dhe vlerësoi arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat në tërësi, rritjen ekonomike të vendit dhe rezultatin e reformave në këtë fushë si dhe e siguroi kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij dhe të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për vendin tonë.
Kreu i qeverisë Berisha shprehu mirënjohjen ndaj Britanisë së Madhe për ndihmën dhe mbështetjen dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në 100 vitet e pavarësisë së saj dhe ftoi Kryeministrin Cameron që të vizitojë Shqipërinë në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë.
Kryeministri Cameron e uroi kryeministrin Berisha për 100 vjetorin e Pavarësisë dhe e falënderoi për ftesën, të cilën u shpreh se do ta konsiderojë sapo t’i jepet mundësia. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›