Kriza e realizmit
Ditë pas dite, nga Beogradi u përhapën dy lajme: të enjten, më 26 korrik, Mladan Dinkiç, qysh kur ishte kandidat për ministër i financave dhe të ekonomisë, në qeverinë e paszgjedhjeve të 6 majit, njoftoi Serbinë dhe botën që, vendi gjendet në krizë shumë të thellë: buxheti i shtetit serb ka para sa për të paguar pagat dhe pensionet vetëm për muajin gusht. Atje është shfaqur fantazma e një Greqie financiare; të premte, më 27 korrik, kryesuesi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Serbe, Sllobodan Samarxhiç, në një mënyrë të pazakontë, iu drejtua në parlament koalicionit qeverisës, duke i bërë me dije që, “Ju nuk mund të hyni në BE, nuk mund t’i filloni as bisedimet e pranimit në BE, nëse nuk e pranoni Kosovën. Duhet të përcaktoheni për njërën. Nuk mund të zhvilloni marrëdhënie të mira fqinjësore krahas, siç keni thënë, respektimit të sovranitetit, sepse shumica e këtyre vendeve e njohin Kosovën”. Dhe, po në të njëjtën ditë, ambasadorja e SHBA, në Beograd, Meri Uorllik gjatë takimit me kreun e ri të parlamentit serb, Nebojsha Stafanoviç, tha që, “… para parlamentit dhe qeverisë ka shumë punë, sidomos kur është fjala për përmirësimin e marrëdhënieve rajonale, përparimin e dialogut me Prishtinën dhe forcimin e institucioneve”. Domethënë, marrëdhëniet me Kosovën mbeten kusht.
Por, përmbi mungesën e parave dhe gjithë mungesat e tjera sëbashku, rri e sundon nëna e përkeqësimit serb, që e ka emrin Kriza e Realizmit e trinisë radikale ultranacionaliste. Trinia e krizës së gjatë atje, ka tre emra kryesorë: Irinej, patriark i Kishës Ortodokse Serbe; Tomisllav Nikoliç, president; Ivica Daçiç, kryeministër dhe ministër i brendshëm. Do të bëheshin katër me Vuk Jeremiç, por deklarata e tij, për trup pa frymë shtrirë në prag të derës të Pallatit të Qelqtë, që të mos lejohet Kosova të futet aty, sipas Ban Ki Mun, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, nuk mund të shqiptohet kurrësesi kur ai të zërë kolltukun e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme.
Kosova, qysh prej 13 vjetësh, është realitet historik i një lufte të fituar kundër Serbisë, dhe prej më shumë se 4 vjetësh është realiteti shtetëror botëror 193. Ky realitet nuk është vendosur vetëm me luftë, por edhe me zhvillim demokratik, i pranuar botërisht, i njohur nga gjysma e shteteve të rruzullit, dhe me një pritshmëri njohjesh të tjera. Verbimi politik serb, për të mos e parë në sy këtë realitet ngjitur me vetveten, përpjekja e gjithanshme serbe për ta zhbërë ekzistencën, fryma radikale serbe 2K - Kishë dhe Kushtetutë, për ta kthyer edhe njëherë Serbinë në Kosovë apo Kosova t’i bashkëngjitet përsëri Serbisë, sipas shembujve që sjell edhe Nikoliç, ku, sipas tij do të mbeten të kënaqur edhe shqiptarët (çfarë halucinacioni?!), të gjitha përbëjnë thelbin e krizës së realizmit në Beograd, që bëhet fundosëse e zhvillimit. Mjafton kaq: sikur Serbia t’i ishte kthyer vetvetes qysh prej 13 vitesh e këtej; sikur Serbia të mos kishte konsumuar politikë të pafund qysh kur humbi luftën; sikur energjitë e pamata Serbia t’i kishte përdorur për kah Bashkimi Europian dhe ndjesa; sikur Serbia të kishte vendosur menjëherë marrëdhënie paqësore me vendet e rajonit; sikur financat e mëdha shpenzuar kundër Kosovës, Serbia t’i çonte në investime për zhvillim, ajo do të gjendej në ballë të procesit të integrimit mes shteteve të Europës Juglindore dhe, me siguri nuk do të vinte rasti të lajmëronte se i kanë mbetur para sa për pagat dhe pensionet e muajit gusht. Serbisë nuk i ka ardhur kriza financiare thjesht nga qeveria e shkuar, siç po akuzojnë të sapoardhurit në pushtet, sepse vetë Ivica Daçiç, kryeministër dhe ministër i brendshëm i qeverisë së re, ka qenë zevendëskryeministër dhe ministër i brendshëm i qeverisë së vjetër. Mjerimi i vërtetë i Serbisë është që, 13 vjet pas mundjes së politikës së Sllobodan Millosheviç, në pushtet u ngjitën të gjithë pasusit e tij më të zellshëm, të cilët kanë nxituar të bëjnë shpallje ekstreme, të cilat pritet të verifikohen përgjatë udhës së qeverisjes: Nikoliç duke kërcënuar edhe me luftë për marrjen e Kosovës, Daçiç me politikën “edhe BE-në edhe Kosovën”, Jeremiç me sakrifikimin e mundshëm “vetëm mbi trupin tim të vdekur”, Kosova futet në OKB. Nëse politikanët, edhe për retorikë nacionaliste, e emërtojnë Kosovën një Jeruzalem serb, ai që i beson përrallës është Patriarku Irinej, i cili, mëse njëherë, ka folur hapur, në mbështetje të dhunës dhe të forcës kundër Kosovës.
Greqia, ose kriza model, zgjidhjen e ka përcaktuar vetëm përmes reformash dhe masash të ashpra anti-krizë, të cilat nuk janë popullore, por ka vetëm dy rrugë - shpëtim ose falimentim. Serbia, ose modeli nacionalist, paraqet një rast të pangjshëm, sepse ajo nuk do të mund t’i ikë kurrësesi krizës së frikshme, nëse nuk e pranon realitetin e ri në Kosovë. Dhe, kjo arrihet vetëm duke u dalë përpara dhe përballë nacionalistëve radikalë, të cilët nuk do të mund të arrijnë pengimin e falimentimit ekonomik të Serbisë, vetëm për shkak të vetërrotullimit politik përqark pavarësisë së Kosovës dhe shpenzimit marramëndës të energjive të shtetit, për një çështje të mbyllur përgjithmonë. Greqia është këtu ku është, vetëm për shkak të një politike ekonomike falimentuese. Serbia shkon kah tragjedia greke, vetëm për shkak të politikës radikale, që investohet skajshmërisht për një kauzë të vdekur.