E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Mun mbështet vendosjen e rendit Kosovë

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, gjatë një takimi në Nju Jork me delegacionin shtetërore të Kosovës, ka shprehur mbështetjen e tij ndaj procesit për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe ka kërkuar vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Delegacioni shtetëror i Kosovës, në përbërje të të cilit janë presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, janë takuar të dielën në Nju Jork me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Mun me të cilin kanë biseduar për zhvillimet e fundit në vend, pas vendosjes së policëve dhe doganierëve në dy pikat kufitare në veri.

Në këtë takim delegacioni shtetëror i Kosovës ka informuar numrin një të Kombeve të Bashkuara në lidhje me dërgimin e doganierëve dhe policëve në veri, i cili është bërë në bashkëveprim me EULEX-in dhe KFOR-in, me qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit.

Me këtë rast delegacioni shtetëror i Kosovës kërkoi nga Ban Ki-Mun përkrahjen e tij ndaj institucioneve legjitime të Kosovës për ta shtrirë rendin dhe ligjin në veri, si dhe kërkuan që të bëjë presion ndaj Serbisë që të heqë dorë nga mbështetja që po u jep strukturave paralele serbe në veri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›