Berisha në SHBA

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, do të jetë i pranishëm ne pritjen e shtruar nga Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, për nder të delegacioneve që marrin pjesë në samitin e OKB-së.
Zyra e Shtypit e Kryeministrisë njoftoi se Kryeministri Berisha u nis për në New York, për të marrë pjesë në debatin e përgjithshëm të seancës së 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të mbajë një fjalim në seancë plenare.
Mësohet se gjatë vizitës disa ditore në New York, Kryeministri Berisha do të ketë takime me homologë të tij, personalitete botërore, të pranishëm në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Berisha do të zhvillojë një takim me Nënsekretarin e Shtetit për çështjet politike, zotin William Burns.
Gjithashtu, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja zonja Liri Berisha, do jetë i pranishëm në pritjen që do të japë Presidenti Obama për nder të delegacioneve pjesëmarrëse në debatin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.