Ban Ki-mun kërkon armëpushim të menjëhershëm në Libi

Sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki-mun bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të zjarrit në Libi teksa forcat besnike të Moamer Gadafit edhe sot vazhduan të bombardojnë qytetin e Misratës, të tretin për nga madhësia në vend.
Duke folur në Budapest, Ban kërkoi "armëpushim të menjëhershëm dhe efektiv", dhe tha se është "absolutisht qenësore që autoritetet e Libisë të ndalin luftimet dhe vrasjet e njerëzve".
Ai poashtu bëri thirrje për zgjidhje politike të konfliktit, duke shtuar se Kombet e Bashkuara do të hapin një mision humanitar në Tripoli.
Zëdhënësi i kryengritësve tha se të paktën 17 vetë janë vrarë dje nga bombardimet në Misrata dhe rreth 100 janë plagosur.
Forcat e Gadafit gjithashtu e kanë vazhduar ofensivën në qytetin lindor Axhdabia.
Përkundër sulmeve ajrore të NATO-s, rebelët nuk kanë qenë në gjendje t`i ruajnë zonat që i mbanin nën kontroll.