Ban: Tensionet në veri duhen zgjidhur me dialog

Mediat serbe raportojnë se kanë parë raportin, të cilin Ban Ki-moon do ta prezantojë në raportin e rregullt tre mujor në Këshillin e Sigurimit më 27 nëntor. “Unë pres që të vazhdojë dialogu dhe shpresoj që normalizimi i marrëdhënieve të sjellë paqe dhe qëndrueshmëri në rajon”, citohet të ketë thënë Ban Ki-moon, raporton agjencia serbe e lajmeve Beta.
Në raportin që përfshinë periudhën prej korrikut e deri në tetor të këtij viti vlerësohet se janë arritur përparime në përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik.
Ban shkruan se në muajt e fundit pala shqiptare dhe ajo serbe kanë shprehur gatishmëri për tejkalimin e pengesave në mes tyre në mënyrë që të ecin përpara në rrugën drejt integrimit. Por, ai thekson se kjo gatishmëri duhet të konkretizohet me zbatim të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik, transmeton Kosovatimes.
Duke folur për sigurinë, Ban ka theksuar se situata është relativisht e qetë por ai kujton incidentet në veriun e Kosovës. Tensionet në veri, sipas tij, janë shqetësuese dhe duhen zgjidhur nëpërmjet dialogut dhe në mënyrë paqësore.
“U bëj thirrje autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë që të tregojnë durim dhe vullnet të mirë gjë që është e nevojshme për të siguruar paqen dhe sigurinë e lëvizjes”, thuhet në raportin e Ban-it, transmeton RTK.
Sa i përket heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ai ka theksuar se për Kosovën është e rëndësishme që të vazhdojë përpjekjet në mënyrë që të ndërtohet një shtet demokratik dhe multietnik.