E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban në Teheran: Shpresoj për bisedime konstruktive

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, dhe disa kryetarë shtetesh kanë arritur në Teheran për të ndjekur samitin e Lëvizjes së të Painkuadruarve.

Ban, gjatë vizitës së parë të tij në Teheran, pritet të diskutojë me udhëheqjen e këtij vendi projektet bërthamore dhe shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut.

"Si sekretar i përgjithshëm, jam shumë i kënaqur që vizitoj Iranin dhe besoj se do të kem bisedime konstruktive dhe të dobishme me udhëheqjen e lartë të Iranit. Po ashtu do të takoj njerëz për të mësuar më shumë për kulturën dhe historinë e Iranit", ka thënë Ban, para gazetarëve në Teheran.

Në mesin e zyrtarëve të tjerë që kanë arritur në Republikën Islamike janë edhe liderët e Indisë, Afganistanit dhe Autoritetit Palestinez.

Lëvizja e të Painkuadruarve është një grupim i shteteve që nuk e konsiderojnë veten pjesë të ndonjë blloku të fuqishëm.

Irani tani mban presidencën e organizatës 51-vjeçare.

Samiti ka nisur punimet qysh në fundjavë, por diskutimet kryesore zhvillohen sot dhe nesër.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›