'Banda e Lul Berishës', dëshmon i penduari Coli
TIRANË - Është zhvilluar sot seanca e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda për bandën e Lul Berishës, ku dëshmoi i akuzuari i penduar dhe i marrë në mbrojtje Adriatik Coli. Edhe pse dëshmia e tij, solli fakte të reja për trupën gjyqësore, ajo nuk u arrit të përfundonte për shkak të ndërhyrjes së avokatëve.
"Jam njohur me Lul Berishën në vitin 1994 në Itali, ku ai trafikonte femra. Miqësia ime me të është përforcuar në 1997, vit në të cilin edhe e plagosën", ka deklaruar Coli.
Prokurori kërkoi detaje shtesë mbi organizatën kriminale, por pikërisht kjo fjalë ka shkaktuar irritimin e avokatëve të cilët thanë se nuk prova që ta dëshmojnë këtë. Ky debat zgjati mbi dy orë ndaj kryegjyqtari kërkoi menjëherë ndërprerjen e seancës dhe një pushim 30 minutash.
Pas më shumë se 2 vjet e gjysmë nga nisja e gjyqit ndaj të pandehurve, në seancën e sotme ku ishin të pranishëm avokatët, të pandehurit dhe prokurorët e çështjes, më në fund rrëfeu Adriatik Coli. Gjyqi ndaj të 16 të akuzuarve për krime të rënda ka nisur që prej 17 qershorit të vitit 2007 dhe deri në seancën e sotme nuk ka mundur të dëshmojë asnjë prej 105 dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria. Coli, një ish/anëtar i bandës sot i penduar nuk ka arritur ende të dëshmojë plotësisht të vërtetat rreth Bandës. Shtyrja e seancave gjyqësore ka arritur rekord në llojin e vet, seancat janë shtyre plot 95 herë.