E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti ka mbetur pezull që nga viti 2008. Prokuroria u deklarua kundër Rinis debati mbi shtimin e strukturave përgjuese Komisioni i Ligjeve do të diskutojë disa shtesa në ligjin e përgjimeve teleko

28/09/2009  Projekti ka mbetur pezull që nga viti 2008. Prokuroria u deklarua kundër

Komisioni i Ligjeve do të diskutojë disa shtesa në ligjin e përgjimeve telekomunikative

Nëse Ministria e Financave do të ketë të drejtën e përgjimit, ashtu si SHISH-i apo shërbimet e tjera informative të Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes, ky është debat që do të rihapet në Kuvendin e Shqipërisë. Komisioni parlamentar i Ligjeve do të rimarrë në shqyrtim projektligjin e qeverisë “Për përgjimet telekomunikative”, debat i mbetur peng i vitit 2008. Përbërja e re e legjislativit shqiptar pritet t’i japë një tjetër dimension diskutimit për këtë çështje, e cila u kundërshtua ashpër një vit më parë nga deputetët e opozitës në komisionet parlamentare. Projekti u miratua me ndryshime nga Komisioni për Sigurinë, por nuk iu nënshtrua asnjëherë diskutimeve në seancë parlamentare.

Projekti

Kuvendi i Shqipërisë do t’i rikthehet edhe një herë debatit mbi projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 9157, datë 4.12.2003 “Për përgjimin e telekomunikacioneve”. Me këtë projektligj kërkohet që Ministria e Financave të përfshihet ligjërisht tek organet që mund të bëjnë përgjime për veprimtarinë e organeve tatimore dhe doganore. Kjo duke pasur parasysh faktin se ministri i Financave ka në dispozicion forca policore që veprojnë me atributet e oficerit të policisë gjyqësore. Më konkretisht, parashikohet vënia në lëvizje e një departamenti operativ hetimor pranë tatim-doganave për të investiguar veprimtarinë e tatimorëve dhe doganierëve. Gjatë diskutimit të tij në komisionin për Sigurinë Kombëtare, komision përgjegjës për këtë projekt, u dëgjuan edhe palët e interesuara, ku institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme u deklarua hapur kundër këtij projekti. Përfaqësuesi i saj në atë kohë, drejtori i Drejtorisë së Përgjimeve Thoma Jano, u deklarua kundër këtij projekti. “Nuk jam dakord me këtë ligj, pasi së pari ai bie në kundërshtim me ligjin e miratuar më 2003-shin nr. 9157 dhe konkretisht nenet 1, 2, 3, 6 dhe 7. Ligji i vjetër përcakton qartë modalitetet e përgjimit. Me këtë projekt mundësohet ngritja e strukturave paralele, një strukturë me masa shtrënguese dhe me atributet e policisë gjyqësore”, - u deklarua ai.

Propozimet

Projekti fillestar i qeverisë pësoi disa ndryshime gjatë marrjes në shqyrtim nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare. “Ministritë që kanë në kompetencë forca policore që ushtrojnë funksione informative/policore do të kenë të drejtë të kërkojnë përgjimin për të siguruar të dhëna të domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore”, - u propozua nga komisioni përgjegjës. Sipas ligjit të miratuar në vitin 2003, institucionet që kanë të drejtë të kërkojnë përgjimet e telekomunikacioneve janë SHISH-i, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, Policia e Shtetit, shërbime të tjera informative që kanë të drejtën ligjore të kërkojnë këto informacione

Kërkesa e Sefgjinit

Ish-drejtori i përgjithshëm i Tatim-Taksave, Arben Sefgjini, gjatë mbrojtjes së projektit në Komisionin për Sigurinë Kombëtare e mbështeti kërkesën e tij për të pasur të drejtën e të kërkuarit nga Prokuroria e Përgjithshme të përgjojë me ngritjen pranë Tatim-Taksave të një strukture të departamentit operativ hetimor, në ligjin “Për funksionimin e policisë gjyqësore” dhe vendimin e qeverisë “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”. “Që në maj është krijuar struktura përkatëse. Drejtoria e hetimit në drejtorinë e tatimeve është krijuar me ligjin e tatimeve dhe ka dy sektorë: sektori i hetimeve dhe sektori tjetër është ai i inteligjencës”, - tha ai.

Ndryshimet e propozuara

SHISH-i, shërbimet informative/policore të ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes, çdo shërbim tjetër informativ policor i krijuar me ligj, si dhe ministritë që kanë në kompetencë forca policore që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin për të siguruar të dhëna të domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore. Prokurori i Përgjithshëm ose prokurori i autorizuar prej tij ka të drejtë të nisë përgjimin pas kërkesës me shkrim të drejtorit të SHISH-it, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Drejtësisë si dhe ministrit që ka në varësi shërbime informative/policore që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›