E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, prokuroria kundërshton vendimin e Apelit

Organi i akuzës është në pritje të vendimit të zbardhur për të çuar çështjen në Gjykatën e Lartë. Dy ditë më parë Apeli i Krimeve të Rënda i dha pafajësi një të dënuari me 18 vjet burg për vrasje

Tiranë Vendimi i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, për të liruar të pandehurit e “Bandës së Lushnjës” nga akuza e vrasjes së shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri, ka sjellë reagimin e prokurorisë. Burime të Rezervuara pohojnë se Prokuroria e Apelit është në pritje të vendimit të zbardhur të gjykatës, për ta çuar këtë çështje në Gjykatën e Lartë. Arsyetimi i përdorur nga trupit gjykues i përbërë nga katër anëtarë të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe një gjyqtar i Krimeve të Rënda, sipas burimeve, do të shërbejë për hartimin e një ankimi të plotë. Paraprakisht mësohet se pjesa më e kontestuar nga ana e prokurorisë është heqja e akuzës së vrasjes të biznesmenit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri. Si pasojë e pushimit të akuzës, dy ditë më parë fitoi lirinë i pandehuri i “Bandës së Lushnjës”, Afrim Hoxha, i cili ishte dënuar me 18 vjet burg nga Shkalla e Parë. Për këtë çështje prokuroria ka në dorë dy prova, që sipas saj janë thelbësore në zbardhjen e vrasjes së ndodhur në gusht të vitit 1997. Provat, sipas burimeve, kanë të bëjnë me dy dëshmi që janë dhënë në prokurori dhe gjykatë nga dy dëshmitarë okularë në vrasjen e Xhevat Demirit. Dëshmitarja e parë është bashkëshortja e viktimës, e cila ditën e ngjarjes ndodhej në furgon së bashku me viktimën dhe fëmijët e tyre. Dëshmitarja pohon se në hyrje të qytetit të Lushnjës, furgoni me të cilin ata udhëtonin është ndaluar nga katër persona të armatosur dhe pa maskuar, të cilët i ka identifikuar si shtetasit: Afrim Hoxha, Ilir Stergu, Enver Dondollaku dhe Aldo Bare. Bashkëshortja e viktimës, e cila është marrë në mbrojtje nga struktura e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, gjithashtu ka treguar me detaje ekzekutimin e të shoqit para syve të saj. Të njëjtën dëshmi ka dhënë edhe dëshmitari tjetër okular i ngjarjes, i cili gjithashtu është në mbrojtje nga organet e specializuar. A. K., shoferi i furgonit jep të njëjtin version si bashkëshortja e viktimës, për vrasjen e Xhevat Demirit. Por pavarësisht këtyre dëshmive, Gjykata e Apelit ka pushuar akuzën e vrasjes ndaj të pandehurve të “Bandës së Lushnjës”, duke i dhënë kështu pafajësi Afrim Hoxhës, i cili për këtë ngjarje është dënuar me 18 vjet burg nga Shkalla e parë. Gjithashtu të pandehurit e tjerë kanë pasur lehtësi në masën e dënimit, pasi njërit prej tyre i është hequr edhe akuza e grabitjes me armë. Edhe kjo dispozitë e vendimit do të kundërshtohet nga Prokuroria, e cila është në pritje të vendimit të zbardhur të Shkallës së Dytë të gjyqësorit. Dy ditë më parë, Apeli i Krimeve të Rënda hoqi disa nga akuzat për grupin e dytë të të akuzuarve si pjesëtarë të “Bandës së Lushnjës”. Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Aliço, Jorgo Muzaka dhe Rexhep Gina u akuzuan në Prokuroria për Krime të Rënda për të paktën pesë vrasje të kryera si pjesëmarrës në organizatë kriminale. Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me burgim të përjetshëm Arben Boriçin dhe Ilir Stergun, ndërsa dha masa të ashpra dënimi edhe për të pandehurit e tjerë. Sipas prokurorisë, Arben Boriçi, një nga eksponentët kryesor të “Bandës së Lushnjës”, akuzohet se ka vrarë në bashkëpunim me disa nga anëtarët e tjerë të bandës shtetasit Xhevat Demirin, Nimet Zenelin, Masar Aliun, Idajet Beqirin dhe Luan Bilbilin, pas hasmërive që lindën mes grupit të Aldo Bares dhe rivalëve të tij.

L. Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›