E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda në AKP

Privatizimi i ish i ndërmarrjes “Kombinati i Lëkurës së Këpucëve” në Pejë mund ta dërgojë dikë prapa grilave.

Agjencia Kosovare e Privatizimit me datë 29 maj të këtij viti ka pranuar ofertat dhe ka bërë publike çmimet e ofruara për këtë ndërmarrje dhe të tjerat që ishin në këtë valë, por jo gjithçka ka shkuar mirë në këtë proces.

Për këtë tender, Agjencia ka pranuar 8 oferta.

Haxhi Mehmejtaj, nga Zabllaqi i Istogut, ishte kualifikuar për të ofertuar, por ai nuk ka guxuar që të deponojë në AKP pagesën e garancisë bankare dhe dokumentacioin perkatës.

Sipas burimeve të Indeksoline, ai fillimisht kishte shkuar në bankë dhe kishte bërë pagesën në vlerë prej 20 mijë eurosh, por më tu futur në AKP, para dyerve të Agjencisë, një grup prej disa personave e kanë ndalur që të hyjnë brenda për të dorëzuar dokumentacionin. Mandej, ai ishte kërcënuar edhe më jetë që nëse dorëzon dokumentet për këtë tender do të likuidohej. Mehmetaj atë ditë, nga frika kishte ikur në shtëpi, pa guxuar madje as të denoncojë rastin në polici.

Edhe pse, ofertuesit janë të shënuar me shifër, burime të Indeksonline mësojnë, që emri i Haxhi Mehmetaj, si ofertues ka dalë nga zyrtarët e AKP-së, me çka më pas edhe nuk ishte lejuar që të marrë pjesë në këtë ofertë.

Sipas dokumentacionit që posedon Indeksoline, oferta e tij ishte 200 mijë euro, kurse oferta më e madhe ka dalë ofertuesi më shifrën P98, me çmim prej 140 mijë euro.

Edhe pse e kanë parë gjithë marifetin para Agjencisë, AKP-ja nuk e ka anuluar këtë shitje të tenderit, megjithëse a do të shitet për 140 mijë euro, do të vendos Bordi.

“Rasti është lajmëruar në Polici po atë ditë. dhe Policia i ka deklaratat e palëve. Pra rasti është në Polici. Agjencia nuk ka akoma ndonjë raport nga Policia për këtë çështje”, tha për Indeksonli, Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të privatizimit. Megjithëkëtë, sipas tij, vendimin se a është ky çmim i pranueshëm apo jo e merr Bordi i Drejtorëve i AKP-së në mbledhjet e ardhshme.

Kaloshi thotë se emri i Mehmetajt nuk ka pasur mundësi të dalë nga AKP-ja, si ofertues.

“Ofertuesi është lajmëruar në Agjenci dhe është pritur në takim të veçantë nga zyrtarët e Agjencisë, ku i është shpjeguar gjithë procedura e ofertimit dhe çështjet e tjera të nevojshme për palën dhe ai është shprehur të jetë ndarë shumë i kënaqur nga takimi. Agjencia dëshiron të sqaroj se nuk ka informata se kush mund të ofertoj për një tender, pasi që të gjithë ata që janë parakualifikuar një herë në të kaluarën (dhe të tillë ofertues ka kryesisht) nuk kanë nevojë më të lajmërohen në Agjenci dhe të bëjnë parakualifikim, por ata drejtpërdrejt ofertojnë për ndërmarrje apo asete që atyre u duken atraktiv. Prandaj Agjencia nuk mund të dijë as kush oferton e as sa veta ofertojnë në tenderë”, tha Kaloshi. Sipas tij, në çdo rast kur Agjencia pranon ndonjë informatë për ndonjë sjellje të ndonjë zyrtari të saj në kundërshtim me procedurat në fuqi, ndërmerr masa disiplinore ndaj tyre.


AKP-ja kishte shtyrë privatizimit për “Ndërmarrjen e Re ‘Kombinati i Lëkurë Këpucëve – shitorja Nr.7 SH.P.K.”.

Fillimisht, kjo ndërmarrje ishte paraparë të privatizohet me datë 19 tetor 2011, bashkë me 21 ndërmarrje të tjera përmes Valës 52 të privatizimit.

E, kjo shtyrje ishte arsyetuar nga AKP-ja se është bërë me qellim të azhurnimit të të dhënave kadastrale.


Ndërmarrja e Re Kombinati i Lëkurë Këpucëve - Shitorja Nr.7 SH.P.K. përbëhet nga një dyqan ne sipërfaqe të përafërt 144 m² i përbëre nga kati përdhese dhe kati kryesor (P+1) dhe toka, në të cilën gjendet ai, me sipërfaqe të përafërt 72m². Dyqani ndodhet në “Çarshia e Gjatë” njohur si qendër e frekuentuar komerciale. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›