Banka Botërore: Berisha, kryereformatori i ekonomisë shqiptare

Banka Botërore vlerëson kryeministrin Sali Berisha për bashkëpunimin e suksesshëm 8 vjeçar dhe arritjet e shënuara në drejtim të reformave dhe ringritjes ekonomike të Shqipërisë. Drejtoresha e BB për Shqipërinë, Ellen Goldstein u shpreh dje se gjatë një takimi me kreun e qeverisë, se me qeverinë “Berisha” ka patur një bashkëpunim shumë të frytshëm, një partneritet konsekuent dhe të fuqishëm. Gjithashtu, ajo e cilësoi kryeministrin Berisha si lidershipin më të suksesshëm, pasi nën drejtimin e tij, Shqipëria u shndërrua në kryereformatore e ekonomisë
Berisha: Administrata dhe biznesi në rrezik nga socialistët
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim, një grup të Bankës Botërore, të kryesuar nga znj. Ellen Goldstein, Drejtore për Shqipërinë dhe Koordinatore Rajonale për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore. Znj. Goldstein i tha Kryeministrit që erdhi në këtë takim për të përcjellë vlerësimet më të larta dhe falenderimet më të përzemërta të drejtuesve të BB dhe të gjithë ekipeve që kanë punuar me qeveritë Berisha për 8 vitet e qeverisjes së fundit e më parë. Ka qenë një bashkëpunim i ngushtë dhe shumë i frytshëm, një partneritet konsekuent dhe i fuqishëm, në reformat e mëdha të ndërmarra dhe që ne shpresojmë, u shpreh ajo, që BB të ketë kontributin e saj nga bashkëpunimi, në arritjet tuaja. “Ju keni luftuar dhe keni bërë që Shqipëria nën drejtimin tuaj të cilësohet si kryereformatore e ekonomisë. Falë lidershipit tuaj, nuk është aspak tepër të thuhet që Shqipëria ia doli mbanë të lundrojë mbi krizën globale, të mbajë një ekonomi të qëndrueshme e me rritje”, - tha znj. Goldstein. Kryeministri Berisha e falenderoi znj. Goldstein për bashkëpunimin e gjatë e të mrekullueshëm të Bankës Botërore me qeverinë e tij, si partnere e rëndësishme në arritjet e vendit në këto 8 vjet. Institucioni që ju përfaqësoni dhe zyra e tij në Tiranë , u shpreh Kryeministri, ka qenë gjithmonë një partner eficent e frutdhënës, që i ka dhënë vendit një ndihmë të paçmuar. Përfaqësuesja e BB i tha Kryeministrit që institucioni i saj do të vazhdojë mbështetjen e qeverisë së re për vazhdimësi e zhvillim të qëndrueshëm, siç ka bërë dhe deri më sot, duke i sugjeruar qeverisë së re si fusha përqendrimi të bashkëpunimit: energjinë, menaxhim financiar, forcimin e konkurueshmërisë dhe shtimin e vendeve të punës, mbrojtja sociale, mbrojtja e ambientit etj.. “I kemi sugjeruar qeverisë së re, të krijojë vazhdimësi e të mos fshijë rezultatet pozitive të reformave dhe institucioneve të ndërtuara, por të vazhdohet e çohet më tej investimi në ato fusha e sektorë”- u shpreh ajo.
Kryeministri Berisha u shpreh se socialistët kanë përcjellë mesazhe konfuze në lidhje me biznesin. Deklarata e tyre për të ashtuquajturën vendosje të kriterit të meritës në rekrutim është thjesht një maskim i përpjekjes për të çmontuar administratën shtetërore ekzistuese. Ata po përpiqen me të gjitha format për të larguar nga puna me mijëra e mijëra punonjës e për t’i zëvendësuar ata me militantët që duan të shpërblejnë. Qeveria e re po përpiqet të zhbëjë të gjitha praktikat dhe arritjet e deritanishme. Kështu, deklaratat e tyre për masterplane të reja në bregdet e gjetkë kanë synim mbrojtjen e bizneseve të tyre. Znj. Goldstein e falenderoi dhe një herë Z. Berisha për gjithë kontributin dhe bashkëpunimin e dhënë në zhvillimet e vendit dhe i kërkoi bashkëpunim po aq të frytshëm edhe si opozitar. Kryeministri Berisha i ktheu falenderimet edhe njëherë dhe i premtoi se do të qe një opozitar shumë aktiv, në të gjitha momentet e zhvillimit të vendit, si zëdhënës e mbrojtës i interesave të të gjithë shqiptarëve.
Hans Timmer: Kushti kryesor për rigjallërimin e ekonomisë, ndërtimi i një sektori publik eficient dhe një qeverie të mirëorganizuar/Kryeekonomisti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Hans Timmer thotë në një deklaratë për mediat se, kushti kryesor për rigjallërimin e ekonomisë është ndërtimi i një sektori publik eficient dhe një qeverie të mirëorganizuar. “Ndoshta sfida më e madhe është të përmirësohet cilësia e shërbimeve publike. Të ndërtohet një Qeveri që është partner i besueshëm dhe mbështet sektorin privat, e cila paguan detyrimet dhe nuk krijon borxhe të prapambetura. Pra një qeveri eficente. Nëqoftëse nuk ka përmirësime në këtë pikë, atëherë rikthehen problemet e vjetra që ka çdo vend kudo në botë, deficitet e larta dhe borxhi i rritur. Pra borxhi në vetvete nuk është problem. Problemi kryesor është se si të ndërtohet një qeveri e organizuar më mirë”, thotë Timmer.