Banka Botërore: Inteligjenca artificiale mund të rrisë ndjeshëm produktivitetin në vendet në zhvillim

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Inteligjenca artificiale (IA) u ofron vendeve në zhvillim një mundësi historike për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe social, duke u mundësuar të arrijnë brenda një dekade përparim që në rrethana normale do të kërkonte një shekull, nëse qeveritë investojnë me shpejtësi në energji, lidhje digjitale, aftësi dhe institucione.
Ky është përfundimi i raportit të Zhvillimit Botëror 2026 të Grupit të Bankës Botërore, me titull “Premtimi i Inteligjencës Artificiale”, i publikuar sot.
Raporti vlerëson se vetëm 4,5% e vendeve të punës në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë në rrezik nga automatizimi përmes inteligjencës artificiale gjeneruese, krahasuar me 14,2% në ekonomitë me të ardhura të larta. Nga ana tjetër, 16,2% e vendeve të punës në ekonomitë në zhvillim pritet të përfitojnë rritje të ndjeshme të produktivitetit falë IA-së, një nivel i afërt me 18,7% në vendet e zhvilluara.
Zëvendëspresidenti i Lartë dhe kryeekonomisti i Grupit të Bankës Botërore, Indermit Gill, theksoi se ekonomitë në zhvillim nuk kanë nevojë të ndërtojnë modele të mëdha apo qendra të avancuara të të dhënave për të përfituar nga inteligjenca artificiale.
Sipas tij, përshtatja e mjeteve të thjeshta dhe me kosto të ulët me kushtet vendore mund të përmirësojë ndjeshëm kujdesin shëndetësor, arsimin, sistemin e drejtësisë dhe shërbimet bujqësore për miliona qytetarë.
Raporti evidenton se inteligjenca artificiale tashmë po ndihmon bizneset dhe institucionet publike të zgjidhin probleme, të analizojnë të dhëna, të përmirësojnë parashikimet dhe të ofrojnë shërbime më efikase. Mjetet e IA-së mund të ndihmojnë mjekët në diagnostikim, fermerët në marrjen e vendimeve për prodhimin, ndërsa qeveritë në administrimin e të ardhurave tatimore, mbrojtjen sociale, reagimin ndaj fatkeqësive dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
Megjithatë, Banka Botërore paralajmëron se përfitimet nuk janë të garantuara. Mungesa e energjisë, internetit, të dhënave, aftësive profesionale dhe kapaciteteve institucionale mund të thellojë pabarazitë midis vendeve dhe të kufizojë përfitimet nga inteligjenca artificiale.
Raporti rekomandon një qasje me tre hapa: përdorimin e teknologjive ekzistuese, përshtatjen e tyre me nevojat vendore dhe zhvillimin gradual të sistemeve më të avancuara të inteligjencës artificiale, duke shmangur investimet e kushtueshme për teknologji që nuk mbështeten ende nga infrastruktura bazë.
Sipas Bankës Botërore, investimet në energji elektrike, lidhjen digjitale, aftësitë njerëzore dhe institucionet do të jenë vendimtare që vendet në zhvillim të përfitojnë nga potenciali transformues i inteligjencës artificiale dhe ta vënë atë në shërbim të qytetarëve të tyre.
Raporti paraqiti vlerësimin e parë gjithëpërfshirës të ndikimeve të inteligjencës artificiale (IA) në ekonomitë në zhvillim, dhe tregon se si bizneset dhe qeveritë në këto vende kanë filluar ta përdorin atë.
/e.xh/j.p/r.e/