Autoriteti i Mbikëqyrjes: “Shqiptarët sigurojnë vetëm makinat”
“Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në rajon për nivelin e sigurimit. Ata sigurojnë makinat të detyruar nga ligji, por aspak jetën apo pasurinë e tyre”. Ky ka qenë përkufizimi i bërë në raportin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2008, i paraqitur dje para Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Sipas këtij raporti, në vendin tonë tregu i sigurimeve është i orientuar në masën 56 për qind nga sigurimi i detyrueshëm i automjeteve dhe 44 për qind nga sigurimet vullnetare. Drejtoresha e AMF-së, Elisabeta Gjoni, ka shpjeguar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se rritja vullnetare nuk ka ardhur nga ndërgjegjësimi i qytetarëve, por si kërkesë e bankave për t’iu dhënë kredi dhe si kusht i përcaktuar në tenderat e investimeve publike. Drejtuesja e AMF-së ka deklaruar se faktor pengues për zhvillimin e tregut të sigurimeve në vendin tonë është edhe niveli i ulët i shlyerjes së dëmeve nga kompanitë. Sipas të dhënave zyrtare, raporti i veprime-dëme vlerësohet në masën 28 për qind. Sipas Gjonit, numri i kontratave në vitin 2008 u rrit me 27 për qind, ndërsa të ardhurat nga primet arritën në 7 miliardë lekë, ose 19 për qind më shumë se viti i kaluar. Referuar Tregut të Letrave me Vlerë, numri një i AMF-së u shpreh: "Tregu i Letrave me Vlerë vazhdon të përbëhet nga shitja e Letrave me Pakicë e instrumenteve të borxhit të qeverisë". Për tregun e pensioneve private, Gjoni tha se numri i kontribuesve u rrit me 34 për qind.
31 Mars 2009