E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Amerikes ia nderpret sherbimet e transaksionet sajtit Wikileaks

Apeli Organizata i bën thirrje njerëzve “që duan lirinë”: t’i mbyllin llogaritë në këtë bankë

Banka e Amerikës ka ndaluar kryerjen e operacioneve të pagesës për sajtin “Wikileaks”, duke u bashkuar kështu me masa të tilla të ndërmarra së fundi nga një sërë kompanish dhe korporatash botërore.

Në argumentimin e këtij vendimi, zyrtarët e bankës deklaruan se vendimi ishte marrë për shkak se, “’Wikileaks’ mund të jetë përfshirë në aktivitete që nuk përputhen me politikën e pagesave”. Në kundërpërgjigje të këtij veprimi të Bankës së Amerikës, që është praktikisht dhe banka më e madhe në vend dhe një nga më të mëdhatë në botë, ‘Wikileaks’ i bëri thirrje të gjithë mbështetësve të saj që të ndalonin veprimet financiare me këtë bankë shumë të rëndësishme. “Master Card”, “PayPal” dhe kompani të tjera, i kanë refuzuar organizatës shërbimin e  pagesave online, pas publikimit nga ana e saj të materialeve komprometuese diplomatike. Materialet e publikuara krijuan tensione mes Uashingtonit dhe aleatëve e shteteve të tjera në botë, dhe si pasojë disa nga institucionet financiare amerikane i shkëputën lidhjet me “Wikileaks”. Sipas kreut të saj, Assange, kjo mund të ketë ardhur për shkak të presioneve të fshehta të Uashingtonit ndaj këtyre kompanive.

Pas këtyre veprimeve nisi një kundërsulm nga ana e shumë hakersave, mbështetës të “Wikileaks”, që praktikisht goditën sajtet e këtyre kompanive, duke i nxjerrë disa prej tyre edhe jashtë funksionimit për disa orë.

Vetë Assange është liruar dy ditë më parë me kusht nga Gjykata britanike. Ai u burgos pas fletë-arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria suedeze për akuzën e “përdhunimit”.

Banka e Amerikës bëri të ditur se, nuk do të procedonte me transaksionet në lidhje me “Wikileaks”. Më tej nuk jepen detaje për këtë veprim. Ndërkaq, “Wikileaks” është përgjigjur me një mesazh në “Twitter”, në të cilin i bëhet thirrje të gjithë njerëzve që e duan lirinë, që të mbyllin llogaritë e tyre tek banka. Më pas, uebsajti bën thirrje që njerëzit t’i vendosin paratë e tyre në një bankë tjetër më të sigurt. Ka pasur spekulime kohët e fundit se, Banka e Amerikës do të jetë një nga institucionet për të cilat “Wikileaks” do të nxjerrë dokumente shumë shpejt.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›