Nene Tereza 90 vjet nga krijimi i institucionit
Qendra spitalore universitare “Nënë Tereza” ka përkujtuar dje, 90-vjetorin e krijimit të saj. Fillimisht në vitin 1920, me një spital të vogël, i cili ndodhej në krah të Bashkisë së Tiranës, dhe më pas me një godinë të vërtetë në vitin 1932, pikërisht ku ndodhet drejtoria e këtij institucioni në ditët e sotme. Të pranishëm në këtë aktivitet ka qenë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, si dhe drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku. Në fjalën e tij, kreu i Shëndetësisë e ka cilësuar këtë institucion si më të rëndësishmin në vend, por edhe në rajon, duke e cilësuar si një prodhues të shëndetit. “QSUT mbetet një nga institucionet më të rëndësishme në vend, i cili nuk e ka ndalur kurrë ritmin e të ecurit përpara. Falë vullneteve dhe aftësive të stafit në këtë institucion, janë realizuar edhe ndërhyrjet, të cilat kanë qenë të pamundura, por më pas janë kthyer në realitete dhe në shërbim për pacientët. “Në këtë spital është prodhuar shëndet”, ka pohuar ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, duhet të vlerësohen me mijëra persona, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre për të arritur deri në këtë moment kur e gjithë popullata gjen shërbim të specializuar dhe mjekë të kualifikuar. Ndërkohë që drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, pohoi se ky institucion në të ardhmen do të jetë në krah të pacientit, duke i ofruar të gjitha shërbimet e nevojshme.