E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bylis mposht Flamurtarin dhe i jep nje asist Skenderbeut

Kampionati Mallakastriotët kthehen në “macen e zezë” të vlonjatëve. Besa arrin fitoren e parë jashtë fushe

Bylisi rrezikon ta shndërrojë ëndrrën e Flamurtarit në makth. Në harkun e pak ditëve, pasi i eliminuan nga Kupa e Shqipërisë, skuadra e Nikolla Ilievskit rrezikon të komprometojë ambiciet për titull të vlonjatëve. Mallakastriotët kanë fituar me rezultatin 1-0 në sfidën e javës së 15 të luajtur në stadiumin “Adush Muça”, ndërsa goli mban firmën e Kepit në të 58-n. Kjo fitore bën që mallakastriotët të qëndrojnë në garën për mbijetesë, duke qenë vetëm dy pikë larg Kastriotit, Laçit dhe Shkumbinit, ndërsa mund të përkthehet edhe si një asist për Skënderbeun. Me humbjen e djeshme të Flamurtarit, korçarët kanë sërish shansin të marrin kryesimin e Kategorisë Superiore në rast se fitojnë në Shkodër. Pjesa e parë e takimit ka qenë e tensionuar, ndërsa nuk kanë munguar ndërprerjet për shkak të lojës së ashpër (mbi të gjitha nga vendasit) dhe konflikteve verbale ndërmjet lojtarëve. 45 minutat e para kanë kaluar me pak raste për shënim dhe me një moment të dyshimtë, i cili u kontestua nga Flamurtari. Në minutën e 27-të, gjyqtari Jorgji akordoi një pozicion jashtë loje pas sinjalizimit të njërit prej asistentëve të tij: një vendim plotësisht i gabuar, që ndërpreu një aksion të pastër goli ku protagonistë ishin Xhafaj e Roshi. Pas golit të Kepit, Bylisi arriti të ruajë avantazhin, duke regjistruar fitoren e pestë sezonale dhe ngjitet në kuotën e 15 pikëve. Për skuadrën e Maganit kjo ishte humbja e katërt në kampionat dhe e dyta radhazi në ndeshjet jashtë që po shndërrohen në pikën e tyre të dobët.

Në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Besa fiton me përmbysje në Durrës. Teuta shënoi e para me 19-vjeçarin Dosti, në minutën e 26. Por kavajasit nuk u dorëzuan dhe në të 81-tën barazuan me Velijan, ndërsa në të 86-n Cikalleshi shënoi golin e fitores, pas një penalltie të fituar nga kapiteni Poçi. Kjo ishte fitorja e parë jashtë fushe në këtë sezon për verdhezinjtë e Haxhiut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›