E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka e Detit të Zi dyfishon financimet ndaj Shqipërisë

Financimi i projekteve në energjetikë, bujqësi dhe turizëm mund të gjejë mbështetje nga Banka e Detit të Zi për Zhvillim. Nezir Haldeda, zv/ministër i Financave tha se ky institucion, ku Shqipëria është aksionere, mund të jetë një instrument për të mbështetur zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë. Shqipëria zotëron 2% të aksioneve në Bankën e Detit të Zi për Zhvillim, ndërkohë që financimet e bankës në Shqipëri zënë 6% të portofolit kreditor. Takimi vjetor i bankës po mbahet këtë fundjavë në Tiranë, ku veç të tjerash do të përvijohet edhe përzgjedhja e sektorëve prioritarë në ekonominë shqiptare që do të financohen nga Banka gjatë katër viteve të ardhshme. Banka e Detit të Zi për Zhvillim do të financojë të paktën 50 milionë euro në Shqipëri, gjatë katër viteve të ardhshme. Presidenti i Bankës së Detit të Zi, Andrey Kondakov, tha dje se huat e dhëna në Shqipëri janë mbi 60 milionë euro dhe në strategjinë e katër viteve të ardhshme kjo shumë pritet të dyfishohet. Banka e Detit të Zi financon projekte me një vlerë prej të paktën 3 milionë eurosh, por Kondakov thotë se në vëmendjen e Bankës është edhe financimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, nëpërmjet bashkëpunimeve me ndërmjetës financiarë. Në tre vitet e fundit Banka e Detit të Zi për Zhvillim e ka rritur aktivitetin e saj në Shqipëri me disa kredi në vlera të mëdha, si ato për “Albtelecom”, “Kurum international”, apo spitalin “Hygeia”. Synimi i forumit të biznesit është të sjellë në vëmendje potencialet e zhvillimit të vendit tonë, duke qenë se Shqipëria është një vend i përshtatshëm për të investuar (përfshi kuadrin makro-fiskal, politikat monetare, potencialet e pazhvilluara, mbrojtja e investitorëve etj.), pra të identifikohen fushat ku priten zhvillimet më të qenësishme ekonomike të vendit, potencialet kryesore të zhvillimit dhe avantazhet e financimit në projekte shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›