FLE marrëveshje për publikimin e projektligjeve
Projektligjet dhe aktet normative të autoritetit të konkurrencës do të botohen në faqen e internetit të Fondacionit për Liri Ekonomike, me qëllim që ekspertët e fushës dhe grupet e interesit të japin mendimin e tyre. Në ambientet e Autoritetit të Konkurrencës u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Autoritetit të Konkurrencës dhe Fondacionit për Liri Ekonomike (FLE). Për Autoritetin e Konkurrencës memorandumi u nënshkrua nga kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, Lindita Milo (Lati), ndërsa për Fondacionin për Liri Ekonomike nga drejtori Artan Gjergji. Qëllimi i këtij Memorandumi ka si qëllim nxitjen e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe publikun e gjerë për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në përputhje me Ligjin nr 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës” (i ndryshuar). Kjo do të bëhet nëpërmjet vlerësimit të projekt akteve normative në fushën e konkurrencës nëpërmjet portalit të krijuar nga FLE (Fondacioni Civil Online: fco.al). Në këtë mënyrë synohet rritja e transparencës së Autoritetit dhe zhvillimi i kulturës së konkurrencës të publikut të gjerë.
Ky portal do të shërbejë gjithashtu edhe si një platformë për shkëmbim informacioni, mbi të gjitha projekt aktet normative të institucioneve qendrore dhe vendore, të cilat do të shqyrtohen dhe vlerësohen nga Autoriteti në zbatim të nenit 69 ligjit, për pasojat që mund të kenë mbi konkurrencën.